Ndërmarrja “Higjiena komunale” njofton qytetarët e kryeqendrës se u ndalohet hedhja apo lënia pranë kontejnerëve e aparateve të teknikës së bardhë apo orendive tjera shtëpiake. Me qëllim të ruajtjes së ambientit, qytetarët mbetjet do të mund t’i hedhin falas në Qendrat për riciklim të NP “Higjiena komunale”.
“Çdo qytetar vullnetarisht, ose me pagesë, ka të drejtën që në tre qendrat që i disponojmë ne si higjienë komunale, në Qendrën për selektim në Karposht, Vardarishte apo në Qendrën për mbingarkim në Shuto – Orizare, t’i deponojnë mbetjet, gjithçka që është e vjetruar, që të mos i lënë afër kontejnerëve, por këtë mund ta bëjnë pa pagesë nëpër qendrat tona. Ata të cilët nuk mund vetë t’i sjellin, mund të lajmërohen në numrin tonë pa pagesë”,- deklaroi drejtori i NP “Higjiena Komunale”, Abdusamet Shabani.
Për ata që nuk do të respektojnë këtë ligj do të ketë dënime. Nga Inspektorati i qytetit informojnë se ata do të jenë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet komunale.
“Do të jenë të shtuara kontrollet në drejtim të mbeturinave që po shkaktohen nëpër qytet. Në koordinim jemi me eko-kontroll të NP “Higjiena komunale”, ku na janë paraqitur të gjitha pikat e zeza apo të themi vendet e egra dhe në të ardhmen inspektorët do të kenë në dispozicion dy drone me të cilat do të xhirohet gati se çdo ditë gjendja në teren. Sigurojmë hapësira për qytetarët se ku munden t’i hedhin mbetjet dhe apelojmë që për çdo parregullsi të vërejtura nga qytetarët të lajmërohen në Inspektoratin e Qytetit”,- u shpreh Mirosllav Bogdanovski nga Inspektorati i qytetit të Shkupit.
E gjithë kjo bëhet me qëllim që qyteti të ngjasojë në një metropol botëror, thonë nga Inspektorati i qytetit të Shkupit.