Mbrëmë Qeveria e miratoi protokollin për organizimin e dasmave. Në lidhje me protokollin e dasmave në konferencë për shtyp ka folur zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha, i cili deklaroi se ndalohen përshëndetjet dhe kontakti fizik mes mysafirëve.
“Në hyrje të vendoset dezinfektues dhe të matet temperatura.Hapësira në tarracat verore duhet të jenë të hapura në tre anët. Ndalohet përshëndetja me dhënien e dorës, përqafim ose kontakt tjetër fizik me mysafirët. Muzika, gjegjësisht angazhimi i artistëve të estradës është i lejuar vetëm gjatë organizimit të dasmave, të cilët duhet të jenë në largësi prej së paku 5 metrave nga tavolina më e afërt dhe nuk guxojnë të lëvizin dhe këndojnë në mesin e mysafirëve. Organizatori ka për obligim të dorëzojë lista të mysafirëve deri te menaxheri përgjegjës i objektit, i cili ka për obligim të evidentojë secilin mysafir. Gjithashtu organizatori ka për obligim që t’i njoftojë të gjithë mysafirët me masat e parashikuara në këtë protokoll. Menaxheri i objektit gastronomik është i obliguar ta regjistrojë dhe paraqesë festën në Odën e gastronomëve e cila udhëheq me regjistrin e dasmave dhe festave”, deklaroi Hoxha.