Dashuri në distancë! Të ndara prej Covid-19, foshnja e porsalindur i buzëqesh në kamer të ëmës së infektuar

Javën e shkuar, një nënë në Indi, e infektuar me Covid-19 solli në jetë një vogëlushe.

Nëna duhej të mbahej e izoluar, ndaj mundi ta shihte fëmijën e saj vetëm përmes një videoje-telefonate.

“Foshnja lindi në Aurangabad, një qytet në shtetin perëndimor të Maharashtra. Kur familja mbërriti në spital, nëna dhe dy djemtë e saj u testuan pozitivë ndaj koronavirusit, ndërsa bashkëshorti jo”, raportoi doktori Sundar Kulkarni, kirurg në Spitalin Civil Aurangabad.

Nëna vuan nga diabeti gestacional dhe hipotiroidizmi, duke e bërë lindjen një “sfidë”, tha Kulkarni – por “kur lindi një fëmijë i shëndetshëm ishte një moment mjaft i paharrueshëm për ne”.

“Pasi fëmija erdhi në jetë, nëna vazhdonte ta kërkonte se ku ishte, sepse natyrisht që dëshironte ta shihte. Atëherë ne patëm idenë që të bënim një telefonatë. Foshnja njohu zërin e nënës së saj dhe buzëqeshi menjëherë përpara kamerës, sapo e dëgjoi të fliste”, shtoi Kulkarni.