DAP: Fundjava pa TVSH e suksesshme, rritet qarkullimi i prodhimeve vendore

Drejtoria për të Ardhura Publike e përmbylli Fundjavën e parë pa TVSH përmes së cilës qytetarët kanë mundur të realizojnë kthimin e vlerës së plotë të TVSH-së për prodhimet dhe shërbimet e blera vendore dhe pajisjes kompjuterike.

“Në 10, 11 dhe 12 tetor të vitit 2020, gjithsej 204 088 qytetarë kanë blerë prodhime dhe shërbime vendore si dhe pajisje kompjuterike dhe kuponët e lëshuar fiskal i kanë skenuar përmes aplikimit TVSH-ja ime. Në Fundjavën pa TVSH është realizuar qarkullim prej 558.176.715 denarë me çfarë qytetarët do të realizojnë kthim të TVSH-së në vlerë prej 66.853.929 denarë” bëri të ditur Drejtoria për të Ardhura Publike. Nga DAPi theksojnë se paratë do t’ua paguajë qytetarëve në llogaritë të tyre të transaksionit në afat prej 15 ditëve nga dita e fundit e skenimit të kuponëve fiskalë.

“Nga analizat dhe krahasimet që i ka bërë Drejtoria për të Ardhura Publike konsumi i prodhimeve vendore në këtë Fundjavë pa TVSH në krahasim me konsumin të prodhimeve të njëjta në fundjavat e kaluara në muajin e njëjtë është për 2,2 herë më i madh”, theksojnë nga DAP-i. Sipas të dhënave të skenuara janë tre herë më shumë kuponë fiskalë dhe është realizuar edhe 9,5 herë qarkullim më i madh të prodhimeve vendore këtë fundjavë lidhur me fundjavën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Masa e parë nga seti i katërt të masave antikrizë që i miratoi Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut filloi pikërisht me masën ‘Fundjavë pa TVSH’ të cilën e zbaton Drejtoria për të Ardhura Publike. Rezultatet nga kjo masë janë më se të suksesshme sepse do të thotë më shumë para mbrapa te qytetarët, përforcim të buxhetit vendor dhe njëkohësisht rritje të konsumit të prodhimeve dhe shërbimeve vendore. Nxitja e qarkullimit te kompanitë vendore është mbështetja në kushte të krizës, e cila ndikon edhe në përmirësimin e likuiditetit të kompanive”, vlerësojnë nga Drejtoria për të Ardhura Publike.