DAP: Asnjë nga marketet KAM nuk është mbyllur

Drejtoria e të Ardhurave Publike e informon opinionin se kanë përfunduar kontrollet në terren në marketet “KAM” dhe asnjë market nuk është mbyllur dhe deri në këtë moment nuk janë shqiptuar dënime për këtë obligues tatimor.

Është obligim ligjor i DAP-it ta mbrojë interesin e qytetarëve dhe të shtetit. Në këtë drejtim dhe pas denoncimit nga ana e qytetarëve dhe institucioneve, DAP-i ka filluar me kontrollë të jashtme, në pajtueshmëri me ligjin për kontroll të gjendjes me rezervat e mallit tregtar në depo dhe në shitore, me qëllim që të vërtetohet gjendja faktike dhe të bëhet krahasimi me evidencën e kontabilitetit.

Me kontrollin e parë dhe preliminar në terren, inspektorët kanë vërtetuar se një pjesë e objekteve për shitje me pakicë, jo vetëm në marketin e lartpërmendur, por edhe në disa markete të tjera të rrjeteve më të mëdha, kanë llogaritur 5% TVSH për produktet ushqimore bazë. Një pjesë e marketeve kanë shitur vaj për ushqim, mish të freskët të viçit, oriz dhe qumësht me tatim të llogaritur të vlerës së shtuar, që është në kundërshtim me vendimin e Qeverisë dhe me ndryshimet në Ligjim për Tatimin e Vlerës së Shtuar.

Pa selektim dhe përmes kontrolleve të jashtme që i kryejnë inspektorët e DAP-it, te të gjithë obliguesit tatimorë verifikohet puna e përgjithshme për periudhën e caktuar kohore, përkatësisht, kontrollohen të ardhurat e sakta dhe shpenzimet nga puna e obliguesve tatimorë, të cilët kanë bërë lëshime në raport me zbatimin e shkallës tatimore, përkatësisht me uljen e TVSH-së nga 5 në 0%. Inspektorët veprojnë pas denoncimeve nga ana e qytetarëve dhe kryejnë inspektim dhe kontrolle, çdokund ku ka pasur dyshime se ekzistojnë indikacione për mosrespektimin e ligjeve gjatë punës.

Drejtoria e të Ardhurave Publike do të vazhdojë me kontrolle të vazhdueshme në terren me qëllim mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Qëllimi i kontrolleve nuk është që të dënojnë, por t’ua vë në dukje të gjithë obliguesve tatimorë se ligji duhet të respektohet.

DAP-i dhe inspektorët nuk njohin as dallime politike, as fetare, as kombëtare. Kontrollet bëhen ekskluzivisht dhe vetëm në drejtim të respektimit të Ligjeve dhe për mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Drejtoria e të Ardhurave Publike, përmes instrumenteve dhe kompetencave që i ka do të vazhdojë t’i ndjekë keqpërdorimet e mundshme nga ana e obliguesve tatimorë dhe të parandalojë shkaktimin eventual të dëmit qytetarëve ose buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për të Ardhura Publike.