Danimarka propozon ligj për ndalimin e djegies së Kuranit dhe Biblës

Qeveria e Danimarkës do të propozojë një ligj që do ta bënte të ndalueshme përdhosjen e çdo libri të shenjtë.

Ky vendim vjen nga një sërë përdhosjesh publike të Kuranit nga një pjesë e vogël e aktivistëve anti-islamik që ndezën demonstrata të zemëruara në vendet myslimane.

Danimarka është parë si një vend që lehtëson fyerjen dhe denigrimin e kulturave, feve dhe traditave të vendeve të tjera, tha qeveria, shkruan Euronews.

Propozimi i qeverisë është të zgjasë ndalimin ekzistues të Danimarkës për djegien e flamujve të huaj duke “ndaluar trajtimin e pahijshëm të objekteve të rëndësishme fetare për një komunitet”, tha ministri i Drejtësisë Peter Hummelgaard.

Ligji do ta bëjë të dënueshme, për shembull, djegien e Kuranit ose të Biblës në publik. Ai do të synojë vetëm veprime në një vend publik ose me qëllim që të përhapet në një rreth më të gjerë”, deklaroi Hummelgaard, duke shtuar se do të dënohen me gjobë ose deri në dy vjet burg të gjithë ata që e shkelin ligjin.

Hummelgaard tha në një konferencë shtypi se protestat e fundit ishin “tallje të pakuptimta që nuk kanë qëllim tjetër veçse të krijojnë mosmarrëveshje dhe urrejtje”.

Nuk është e qartë se kur propozimi do t’i paraqitet Folketing-ut me 179 vende. Tre partitë në koalicionin qeverisës kontrollojnë 88 vende dhe mbështeten gjithashtu nga katër ligjvënësit që përfaqësojnë territoret gjysmë të pavarura daneze të Grenlandës dhe Ishujve Faeroe.