Deputeti i grupit parlamentar 6+, nga radhët e Partisë Demokratike Turke në Kosovë (KDTP), Fikrim Damka, ka reaguar në seancën e sotme për veprimin e ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i cili ka shpërndarë në rrjetin social, Twitter, postimin e një gazetareje të së përditshmes franceze, Le Figaro, në të cilën shihet karikatura e Profetit Muhammed.
Damka ka thënë se në ditët e fundit ka shumë fyerje ndaj fesë islame dhe se të gjithë duhen të jenë të kujdesshëm për veprimet e tyre
“Në ditët e fundit po dëgjojmë se ka shumë fyerje ndaj profetit Muhammed dhe fesë Islame, kjo gjë është e papranueshme dhe ne në vend të se distancohemi nga veprimet të tilla për të mos ngritur përçarje në vendin tonë, fatkeqësisht po i përkrahim këto veprime të pamoralshme“ tha ai.
Po ashtu ai njoftoi se ka parashtruar kërkesën presidentit dhe kryeministrit për shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Francë, I cili është tallur me profetin Muhammed, dhe ka bërë të ditur se nëse nuk marrin përgjigje si grupi parlamentar 6+ nuk do të votojnë asnjë ligj
“Ambasadori I një vendi me shumicë muslimane të tallej me profetin është diçka e papranueshme, ne kemi bërë kërkesën për shkarkimin e ambasdorit, dhe dua të ju njoftojë se nëse nuk shkarkohet ne si grupi parlamentar 6+ në përjashtim të ligjeve ndaj Covid-19 dhe Rimëkëmbjes Ekonomike, nuk do të votojmë asnjë ligj në këtë kuvend“ tha Damka.