Dalin shkaqet për tragjedinë në Tetovë, zjarri është shkaktuar nga kontakti elektrik në kabllon vazhduese

Pas pothuajse një muaji nga shpërthimi i zjarrit në Spitalin modular të Tetovës, kanë dalë informacionet e para për shkaqet e fatkeqësisë. Zjarrin e ka shkaktuar kontakti i shkurtër elektrik në kabllon vazhduese, ku ka qenë i kyçur defibrilatori, një mbushës telefoni dhe një aparat tjetër. Të dhënat dalin nga Prokuroria Themelore Publike, e cila informon se në Prokurorinë e Tetovës është dorëzuar raporti me analizat e kryera të gjurmëve në spitalin modular në Tetovë, i cili është përpunuar nga Departamenti për hetime kriminalistiko-teknike pranë MPB-së.

“Nga analizat është konfirmuar se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një kontakti të shkurtër elektrik, për shkak të presionit të madh nga defibrilatorët e kyçur, me të cilët është bërë reanimacion i një pacienti, në njërën nga dhomat e spitalit. Presioni mbi kabllon ka shkaktuar zjarr në prizën elektrike nga kabllo vazhdues, në të cilin kanë qenë të kyçur defibrilatori, një mbushës telefoni dhe një aparat tjetër”, thanë nga Prokuroria.

Më tej njoftohet se në tërë këtë situatë ka kontribuar edhe prezenca e lartë e oksigjenit dhe fakti që në gjithë hapësirën e objektit nuk kanë ekzistuar ndarëse ndërmjet hapësirave modulare dhe korridorit të cilët do të pengonin shpërndarjen e zjarrit.
Kryeministri Zoran Zaev i pyetur nëse pas këtij raporti do të vendosë për të parët e shëndetësisë, Filipçen dhe Hasanin, ai tha se ende nuk e ka parë raportin.
“Pritëm disa javë, ta shoh njëherë raportin dhe ju garantoj, ju premtoj se sapo t’i marrë vesh të gjitha informacionet, nga ajo që është publikuar do ta them edhe qëndrimin tim, sa i përket dorëheqjeve të ministrit dhe zv/ministrit të shëndetësisë”, tha Zaev.

Kjo ekspertizë është vetëm njëra nga dëshmitë e siguruara. Pritet që në Prokurorinë Publike Themelore të arrijnë edhe raportet dhe të dhënat për të cilat Prokuroria ka dhënë urdhër, si dhe ekspertiza e kërkuar nga ekspertët e Gjermanisë. Nga Prokuroria thonë se në mënyrë intensive do të veprojë në lëndën dhe do të ndërmarrin aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit, ku jetën e humbën 14 persona, të cilët u dogjën të gjallë.