Dalin rezultatet e para të vaksinës ruse kundër Covid-19

Shkencëtarët rusë kanë publikuar rezultatet nga testimet e vaksinës së emëruar Sputnik V për luftimin e koronavirusit, që u aprovua nga qeveria ruse në muajin gusht.

Studimi i publikuar në revistën britanike The Lancet, më 4 shtator, tregon se pacientët e përfshirë në testimet e hershme kanë zhvilluar antitrupa. Rusia ka aprovuar vaksinën për përdorim të brendshëm më 11 gusht.

Kjo ka shkaktuar reagime ndërkombëtare nëse Rusia është ngutur për të lansuar një vaksinë pa kaluar nëpër të gjitha fazat e testimit.

Në këtë studim, hulumtuesit rusë kanë raportuar për dy testime të kryera në qershor dhe korrik, ku përfshihen 38 persona të rritur, të shëndetshëm, të moshave 18-60 vjeç, raporton REL.

Ata, sipas studimit, u monitoruan për 42 ditë dhe të gjithë kanë zhvilluar antitrupa brenda tre javësh.

Një dobësi e këtij studimi konsiderohet se shumica e personave të testuar kanë qenë nën moshën 30-vjeçare, derisa koronavirusi konsiderohet i rrezikshëm për më të moshuarit.