Kanë dalë disa pamje të aksidentit të rëndë të ndodhur këtë pasditë në Rrugën e Kombit, ku dy makina janë përplasur mes tyre duke lënë të plagosur rëndë 3 persona.
News24 ka publikuar disa pamje të momentit kur disa qytetarë tentojnë të nxjerrin nga makina e bërë copash personat e lënduar. Si pasojë e aksidentit mbetën të plagosur rëndë dy shoferët e automjeteve si dhe një pasagjer.
Informacion paraprak i policisë:
Në aksin rrugor Milot-Rrëshen, në Fushë-Milot, mjeti me drejtues shtetasin E.H.,23 vjeç, banues në Tropoje është përplasur me mjetin me drejtues shtetasin A.M., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Si pasojë e përplasjes kanë marrë dëmtime dhe janë transportuar në spitalin e Traumës Tiranë, drejtuesit e mjeteve si dhe shtetasi F.S., 46 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhej si pasagjer në mjetin me drejtues A.M.
Grupi hetimor vazhdon veprimet në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të aksidentit.