Dalin llogaritë e fshehta bankare në Zvicër, ka edhe nga Maqedonia

Një rrjedhje masive të dhënash nga një prej bankave private më të mëdha në botë, Credit Suisse ka nxjerrë në pah pasurinë e fshehur të klientëve të saj të përfshirë në to*rtura, tra*fik dr*oge, pastrim parash, ko*rrupsion dhe krime të tjera të rënda.

Bëhet fjalë për detajet e llogarive të 30 mijë klientëve të Credit Suisse në të gjithë botën të cilët zotërojnë në këtë bankë më shumë se 100 miliardë franga zvicerane (ose 80 miliardë £) të mbajtura të fshehura në një nga institucionet financiare më të njohura të Zvicrës.

Nuk mungojnë edhe llogaritë nga Shqipëria. Nëse sheh me vëmendje hartën që ka publikuar “The Guardian” vihet re se edhe vendi ynë është shënjuar me rreth. Kjo do të thotë se në këtë bankë ka edhe llogari të personave nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, citon lapsi.al. Mediat e huaja që kanë raportuar lajmin nuk i kanë nxjerrë ende të gjithë emrat për të parë se cilët janë shqiptarët që kanë depozituar para në këtë bankë.

Nxjerrja e këtyre të dhënave është konsideruar si një nga dështimet më të mëdha të Credit Suisse, pavarësisht nga premtimet e përsëritura të saj gjatë dekadave për të larguar klientët e dyshimtë dhe fondet e paligjshme.
“The Guardian” thotë se banka zvicerane, në mënyrë të përsëritur hapte ose mbante llogari bankare për një grup klientësh me rrezik të lartë në të gjithë botën.

Mes tyre është një trafikant qeniesh njerëzore në Filipine, një bos të bursës së Hong Kongut i burgosur për ryshfet, një miliarder që urdhëroi vr*asjen e të dashurës së tij, yllit të popit libanez dhe drejtuesve që plaçkitën kompaninë shtetërore të naftës të Venezuelës si dhe politikanë të korruptuar nga Egjipti në Ukrainë.

Një tjetër llogari është në pronësi të Vatikanit që u përdor për të shpenzuar 350 milionë € në një investim të dyshuar si mashtrim me pronat në Londër. Për këtë çështje është hapur nujë proces penal ndaj disa të pandehurve, duke përfshirë një kardinal.
Baza e të dhënave të bankës zvicerane u zbulua nga një sinjalizues anonim për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”.

“Unë besoj se ligjet zvicerane të sekretit bankar janë imorale. Preteksti i mbrojtjes së privatësisë financiare është thjesht një gjethe fiku që mbulon rolin e turpshëm të bankave zvicerane si bashkëpunëtorë të evazuesve fiskal” – tha ai në një deklaratë për gazetën pas zbuluar identitetin.
Vetë banka Credit Suisse u përgjigj se ligjet e rrepta të sekretit bankar të Zvicrës e pengojnë të komentojë pretendimet në lidhje me klientët individual.

Banka këmbëngul se dosjet e zbuluara nga gazetarët bazohen në “informacione selektive të marra jashtë kontekstit, duke rezultuar në interpretime tendencioze të biznesit që kryen banka”.
Këtë muaj, Credit Suisse u bë banka e parë e madhe zvicerane në historinë e vendit që u përball me akuza penale (të cilat ajo i mohon) në lidhje me pretendimet se ndihmoi në pastrimin e parave nga tregtia e kokainës në emër të mafies bullgare.
Institucionet financiare zvicerane menaxhojnë rreth 7.9 trilionë CHF (6.3 trilion £) në asete, gati gjysma e të cilave u përket klientëve të huaj.

Skandali Credit Suisse hedh dritë mbi një nga qendrat më të mëdha financiare në botë, e cila është mësuar të operojë në hije. Ai zbulon se si të dënuarit apo pastruesit e parave janë në gjendje të hapin llogari bankare, ose t’i mbajnë ato të hapura për vite pas zbulimit të krimeve të tyre. Kjo zbulon se si ligjet e famshme të sekretit bankar të Zvicrës ndihmojnë në lehtësimin e grabitjes së vendeve në botën në zhvillim si Shqipëria.
Janë më shumë se 90 vende, shumica e të cilave në zhvillim që mbeten në errësirë kur taksapaguesit e pasur fshehin paratë e tyre në llogaritë zvicerane.

“Kjo situatë mundëson korrupsionin dhe u mban në uri vendet në zhvillim ku të ardhurat tatimore shumë të nevojshme. Ndaj këto vende janë ato që vuajnë më shumë nga marifetet e Zvicrës” – tha sinjalizuesi i skandalit.
Denoncuesi pranoi se dokumentet e nxjerra nga banka përmbajnë edhe llogari që ishin legjitime dhe të deklaruara nga klientët në autoritetin e tyre tatimor.

“Unë jam i vetëdijshëm se të kesh një llogari bankare zvicerane nuk nënkupton domosdoshmërisht evazion fiskal ose ndonjë krim tjetër financiar. Megjithatë, ka të ngjarë që një numër i konsiderueshëm i këtyre llogarive hapen me qëllimin e vetëm për të fshehur pasurinë e zotëruesit të tyre nga institucionet fiskale dhe/ose për të shmangur pagesën e taksave mbi fitimet kapitale” – tha denoncuesi.