Dalin emrat për nënkryetarë dhe sekretarë të BDI-së

“Grupi i zjarrit” brenda BDI-së nuk mori pjesë në takimin konsultativ të cilin e kishte thirrur sot kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Burime nga ky grup bëjnë të ditur se arsyeja e bojkotimit të takimit është pakënaqësia që ata kanë nga takimet paraprake dhe mënyra e propozuar nga Ahmeti për emrat që do të përbëjnë ekipin e nënkryetarëve të partisë, shkruan Alsat.

Izet Mexhiti mësohet të ketë ofruar pozitën e tij në shërbim të kreut të partisë, për të vendosur cilin do tjetër përderisa nuk pajtohet me emrat e propozuar. Sipas burimeve, emrat që janë lakuar në takimet e fundit janë:

Emrat e propozuar nga Ali Ahmeti

Faton Ahmeti, Sekretar i përgjithshëm
Valdet Xhaferi, Sekretar organizativ
Izet Mexhiti, Nënkryetar
Arta Bilalli, Nënkryetare
Arbër Ademi, Nënkryetar
Bujar Osmani, Zëdhënës

Grupi nuk pajtohet me ekipin pasi sipas tyre, emrat e propozuar me përjashtim të Izet Mexhitit llogariten klikë e zëvendëskryeministrit, Artan Grubi ndërsa vendimmarrja do të jetë peng i kreut të partisë Ahmeti dhe zëvendëskryeministrit Grubi. Duke u nisur nga kjo përbërje, Mexhiti mësohet të ketë shqyrtuar opsionin e tërheqjes së tij.

Këto arsye kanë bërë që në takimin e sotëm grupi i zjarrit të mos merr pjesë, pasi sipas qëndrimeve të tyre në takimet konsultative nuk bisedohet dhe nuk vendoset për të ardhmen e partisë, ndonëse u pranua kërkesa e tyre për thirrjen dhe themelimin e organeve të partisë.

Ftesës për takimin konsultativ iu përgjigjën të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit të Përgjithshëm, përfshi Grubin, Sadulla Durakun, Ramiz Merkon, Teuta Arifin dhe anëtarë e tjerë. Në takimin e thirrur ditën e shtunë, grupi i zjarrit do të merr pjesë ku edhe thonë se do të përsërisin qëndrimet për ndryshime brenda përbërjes së kryesisë së partisë.

Në të kundërtën, nuk përjashtohet fraksionimi i tyre. Sot publikisht grupit të zjarrit i janë bashkuar edhe anëtarë të tjerë të Këshillit të Përgjithshëm, Amet Ismaili nga Studeniçani dhe Vait Ajro nga Struga./ Alsat.mk