Dalin emrat e parë të banorëve të “Big Brother Kosova”

Nis të hënën “Big Brother Vip Kosova”. Pas gati 6 muajsh që nga lajmërimi për versionin kosovar të reality-show, duket se gjithçka është gati për të mirëpritur banorët e famshëm të kësaj shtëpie. E teksa interesi është i madh për banorët që do të bëhen pjesë e lojës, vetë faqja zyrtare e “Big Brother Vip Kosova” ka dhënë disa ndihma për publikun, duke zbuluar detaje nga konkurrentët, natyrisht pa zbuluar emrat e tyre.

Por duket se kur mungojnë edhe pak ditë nga nisja e spektaklit, “Panorama Plus” ka zbuluar tashmë disa prej banorëve që do të garojnë për çmimin e madh. Një nga emrat surprizë që do shkojë nga Tirana për këtë format është Vivien Thano. Ndoshta jo shumë prej jush e mbani mend vajzën simpatike me kaçurrela që u bë pjesë e formatit “Love Story” dy vite më parë, në kërkim të dashurisë së Sajmirit.

Në këtë format ajo arriti deri në një farë pike, por nuk arriti të fitonte dashurinë e djaloshit të përzgjedhur, por fitoi simpatinë e publikut. Pas kësaj pjesëmarrje, ajo nuk u shfaq më në publik, por në rrjetet sociale vijoi të kishte një audiencë të lartë. Ndërkohë ajo bëhet pjesë e “Big Brother Vip Kosova” si një vajzë beqare dhe pse jo veç çmimit të madh në shtëpinë e famshme të kërkojë përsëri dashurinë.

Një tjetër emër është edhe Bekim Latifi, i njohur me emrin e artit MC Beka. Mc Beka është këngëtar dhe autor këngësh i njohur. Disa prej bashkëpunimeve më të suksesshme të tij janë me Adelina Ismajlin, Besnik Çakën, Donika Gashin, Mihrije Brahën, Gilin me këngën Viza e cila u realizua ne vitin 1994. Bekimi është një figurë e dashur në Kosovë e pritet që natyra e tij të shkaktojë mjaft situata.

Reperi Getinjo është një tjetër personazh që mbrëmjen e së hënës do t’i bashkohet lojës. Vetë reperi reagoi në lidhje me lajmin duke ironizuar mediat. Domethënë “Telegrafi” e di dhe unë nuk e di,” – shkruan reperi në Instastory. Por duket se kjo është vetëm një taktikë për të zhvendosur vëmendjen nga pjesëmarrja e tij në format. Ndërkaq edhe aktorja Shota Baraliu i ka thënë “Po” ftesës për këtë format, duke u shndërruar një ndër banoret më me mbështetje në garë.

Një emër i përfolur ishte edhe ai i Art Abazit. Këngëtari pas shumë komenteve, ka reaguar duke dhënë përgjigje përfundimtare se a do të jetë pjesë e shtëpisë. Këngëtari me anë të një “InstaStory”, tregoi se ka pasur ftesë nga produksioni i “Big Brother VIP Kosova” dhe ai i “Big Brother VIP Albania” mirëpo i ka refuzuar.

“Produksionet e “BBV” si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, po ashtu i kam falënderu për ftesën e tyre, mirëpo Art Abazi është i fokusum në studio”, ka shkruar ai. E teksa emrat e më lartpërmendura janë konfirmuar tashmë si banorë, ka disa të tjerë që kanë zgjedhur t’i thojnë jo kësaj ftese.

Ndër ta ka qenë Teuta Krasniqi, aktore e njohur në Kosovë dhe njëherëzi ish-bashkëshortja e Bleros, Shpat Kasapi, Duda Balaj, Meriton Mjekiqi. “Big Brother Vip Kosova” ka bërë tashmë të ditur edhe datën e fillimit të edicionit të tij të parë me 5 Dhjetor.

Që kur u konfirmua se formati i suksesshëm do të transmetohej edhe në Kosovë, interesi i publikut për të mësuar detaje apo edhe personazhe nga ky edicion i parë ka qenë i madh. Tashmë sytë e gjithë publikut janë orientuar tek “Big Brother Vip Kosova”. Së fundmi është konfirmuar lajmi se Elita Rudi do të jetë nën drejtimin e “Big Brother VIP Kosova Fan Club”, ku do të diskutohet çdo gjë rreth spektaklit të madh.

“Erdhi momenti që të shuajmë një tjetër kureshtje! Elita Rudi do të jetë prezantuesja e emisionit ku do të diskutohet gjithçka për dhe rreth Big Brother VIP Kosova! Mos harroni, 5 DHJETOR – është data”, shkruhet në njoftimin zyrtar. Ajo çka dimë deri më tani është se reality-show se do të moderohet nga Alaudin Hamiti dhe Jonida Vokshi dhe do të komentohet nga opinonisiti i njohur Olti Curri dhe ish-miss Kosova, Afërdita Paqarada.

Moderatori Alaudin Hamiti ka zbuluar pak javë më parë detaje nga roli i tij si moderator në këtë format kaq të pritur. Duke folur në një lidhje ‘Skype’ për “ABC e Mëngjesit”, moderatori tregoi se në fillim iu bë oferta për ta prezantuar i vetëm “BBVIP Kosova”. Por më pas, bashkë me drejtuesit e televizionit vendosën që të merrnin dhe dikë tjetër dhe kështu zgjodhën Jonidën. Sipas Alaudinit, duhej një figurë nga Shqipëria, pasi tërheq audiencën.

“Në fakt e kemi pasur këtë opsion që të jem vetëm, por rrugës e kemi menduar bashkë me pronarët që të kemi edhe dikë nga Shqipëria. Pasi Klan Kosova është futur edhe në Shqipëri dhe për të tërhequr audiencën. Jonida është një prezantuese shumë e mirë sepse kemi udhëhequr edhe Çmimet Oscar me të”– tha ai. Kujtojmë se disa kohë më parë dhe Jonida ka folur mbi eksperiencën e re që e pret dhe momentin kur mori propozimin.

“Ftesën për të qenë pjesë e projektit si fillim e mora nga telefoni pasi ndodhesha në Tiranë. I hipa makinës menjëherë dhe u nisa drejt Prishtinës. E kam pritur me shumë qejf, dëshirë dhe vlerësim këtë lajm. Jam e nderuar të jem pjesë e këtij projekti kaq të madh që sigurisht do të shënjojë një pikë të rëndësishme në karrierën time. Pritet që të jetë një super spektakël që do të bëhet pjesë e çdo familjeje shqiptare deri në javën e fundit”, u shpreh ajo.

Surprizat nga ky mega produksion i cili vjen për të parën herë në Kosovë do të vazhdojnë. Teksa Alaudini do jetë moderator i “Big Brother VIP” në Kosovë, Arbana do jetë në “Big Brother VIP” në Shqipëri në dhjetor. Gjatë një interviste në “n’Za” Alaudini u pyet se cili ishte komenti i prezantueses së formatit në Shqipëri në një nga takimet e përbashkëta të cilat kanë pasur, si përfaqësues të shteteve që kanë licencën e formatit “Big Brother”.

Me doza humori, Alaudini tha i ka thënë “Edhe ju këtu?”. Prezantuesi i njohur i ‘Klan Kosova’ zbuloi më pas se Arbana i ka thënë që çdo gjë do të shkojë mirë nëse i përmbahen rregullave të patentës. Gjithashtu zbuloi se procesi i sigurimit të të drejtave të “Big Brother” për Kosovën ka nisur në tetor të vitit të shkuar dhe është mbajtur për muaj të tërë sekret.