Daçiqi pretendon se një shqiptar nga Kosova “ka kërcënuar ambasadat serbe në Evropë”

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka pretenduar se disa ambasada të Serbisë në Evropë, si dhe aeroporti i Beogradit “Nikolla Teslla”, kanë marrë mesazhe kërcënuese.

Daçiqi ka pretenduar se “sipas informatave zyrtare”, i dyshuari është Denis Krasniqi nga Zvicra, prindërit e të cilit janë nga Kosova.

“Në lidhje me mesazhet kërcënuese të marra përmes postës elektronike nga Aeroporti i Beogradit, ambasadat dhe konsullatat tona në Austri dhe Gjermani, dhe Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, Ministria e Punëve të Brendshme mori informacion zyrtar nga Gjermania dhe Zvicra se ishte Denis Krasniqi (26-vjeç), nga Zvicra, prindërit e të cilit janë nga Kosova”, ka thënë ai, raporton “N1”.

Ai ka thënë se “personi aktualisht ndodhet në Kosovë dhe është lëshuar urdhër që menjëherë pas kthimit në Zvicër të paraqitet në polici.”