Daçiqi ende vajton për atë se Mali i Zi e ka njohur Kosovën


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se “Serbia i arsimoi funksionarët e Malit të Zi ndërsa ata e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.
Ai gjithashtu pretendon se Serbia nuk është e interesuar për hegjemoni ndaj Malit të Zi dhe se kjo nuk është pjesë e të menduarit të Serbisë.

“Mali i Zi i jep vetes rëndësi të madhe historike … Askush këtu nuk bie të flejë dhe nuk zgjohet me pyetjen pse Mali i Zi po largohet. Pyetja thelbësore është nëse serbët dhe malaziasët do të bashkëpunojnë apo do të grinden, ka deklaruar Daçiq për televizionin serb Prva TV.

Ai tha se sjellja e Malit të Zi po çon në konflikte.

Duke komentuar vendimin e Malit të Zi që të hap kufijtë për disa vende, duke mos përfshirë Serbinë, Daçiq ka thënë se sivjet atje do të ketë më pak turistë nga Serbia, dhe kur u pyet nëse rekomandimi i tij është të shkohet në Mal të Zi, në kuptimin se a është kjo e sigurt, Daçiç tha se tash për tash nuk ka vlerësime të tilla.

I pyetur në lidhje me vendimin që Montenegro Airlines nuk mund të ulet në aeroportin e Beogradit, Daçiç tha se kjo nuk është çështje e politikës së jashtme.

“Nuk ka asnjë lidhje me një vendim politik. Nëse linja jonë ajrore nuk mund të fluturojë atje, sigurisht që duhen ndërmarrë masa reciproke”, pretendon Daçiq, duke shtuar se masat reciproke do të ishin nëse Serbia do të ndalonte hyrjen për qytetarët e Malit të Zi.

Daçiç përsëriti se zyrtarët malazez janë arsimuar në Serbi dhe tha se “Serbia i arsimoi ata ndërsa ata bënë gjithçka kundër Serbisë – gjegjësisht ata e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

“Ndoshta nuk ju intereson nëse Swaziland e njeh Kosovën, por kur Mali i Zi e bën atë, kjo është një goditje në luftën e përbashkët që kemi pasur”, pretendon Daçiq.

I pyetur nëse Serbia mund të mbrojë vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe në territorin e Malit të Zi, Daçiq tha se nuk mund, por se do të sigurojë ndihmë për popullin serb dhe Kishën Ortodokse Serbe.