Daçiqi e sulmon verbalisht Komisarin për Zgjerim, detyrohet ta lë takimin

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka shkaktuar një incident në Beograd, të enjten.
Shefi i diplomacisë serbe e ka sulmuar komisionarin e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Të paktën kështu raporton gazeta e atjeshme “Blic”, e cila, sikurse shumë të tjera, kontrollohet nga pushteti, përkatësisht presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas “Blic”, Daçiq e ka detyruar komisionarin evropian që ta lëshojë takimin që po e zhvillonte me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, dhe me ministrat e kabinetit të saj.
Gazeta beogradase shkruan se Daçiq e ka sulmuar në mënyrë verbale mysafirin nga Brukseli, duke e shtyrë atë të largohej nga salla.
Një orë para se Daçiq të inkuadrohej në takimin me Varhelyin, biseda e qeveritarëve të tjerë serbë me të po zhvillohej normalisht, shkruan “Blic”.
E përditshmja e Beogradit pohon se në një moment Daçiq ka marrë fjalën dhe ka nisur ta sulmojë me fjalë komisionarin hungarez.
Varhelyi raportohet të jetë ndier në siklet, teksa Daçiq e ka porositur të mos e hapë gojën për manastiret serbe në Kosovë dhe për tarifën e vënë nga Kosova ndaj mallrave nga Serbia.
Gazeta beogradase është thirrur në burimet e veta, brenda takimit.