Daçiç për zhvillimet në veri: Nuk e di nëse Kurti është i çmendur apo po e bën këtë me pëlqimin e dikujt

Kreu i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, duke komentuar zhvillimet e fundit në pikat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës pas vendimit të qeverisë kosovare për zbatimin e reciprocitetit me targat deklaron se ajo që po ndodh në Jarinjë është një provë e përgjithshme se si do të reagojnë Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare.
Pyetja që shtron Daçiç është se ku është mentori i asaj që po ndodh … Gjermania, Shtetet e Bashkuara apo dikush tjetër?

Sipas Daçiç, heshtja nga ana e tyre është një shenjë miratimi.
“Ata erdhën në veri pa një njoftim, gjë që nuk lejohet. Duan të sjellin bashkësinë ndërkombëtare para aktit përfundimtar. Tashmë e kanë bërë atë, dhe tolerimi i një situate të tillë politike çon në situata të tilla si në Jarinje” tha Daçiç gjatë një interviste në emisionin e mëngjesit në televizionin Kurir.

“Më lejoni t’ju kujtoj, se kjo temë ishte aktuale edhe kur filluan negociatat në Bruksel, në Tetor 2012. Thaçi dhe unë atëherë nënshkruam marrëveshjen, dhe thelbi i saj ishte formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili nuk është zbatuar deri më sot” shtoi më tej ai.

Garancia e nënshkrimit të atëhershëm ishte Catherine Ashton dhe BE, kujtoi Daçiç, duke sjellë në vëmendje një seri ngjarjesh që ndodhën dhe të cilat komuniteti ndërkombëtar sipas tij i toleroi, përfshirë atë që po ndodh tani, si futja e taksës 100 për qind, formimi i ushtrisë së Kosovës, aplikimet për anëtarësim në UNESCO dhe bashkësi të tjera ndërkombëtare.

“Këtu është thelbi i kapjes së veriut… Se Kurti po sillet sikur asgjë të mos kishte ndodhur para tij. Unë thjesht nuk e di nëse ai është i çmendur apo nëse po e bën këtë me pëlqimin e dikujt” – tha Daçiç.
Daçiç pretendon se Prishtina nuk do marrëveshje dhe sipas tij ajo që po ndodh në Jarinjë është një provë sesi do të reagojnë Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare.

“Ajo që më acaron më shumë është heshtja e madhe dhe këtu ndër ne, ju nuk keni reagime fare. Është faji i Vuçiç, i Daçiç … vetëm këtë dëgjoni, por jo sugjerime se çfarë duhet të bëjmë”- tha Daçiç, duke kujtuar se Kurti ishte në burg në Nish dhe se Koshtunica nënshkroi aktin e faljes për të.