Daçiç i nervozuar: Kamberi e teproi, vendosja e flamurit provokim i qëllimshëm për 28 nëntor


Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Dacic, tha se vendosja e flamurit të Shqipërisë nga deputeti Shaip Kamberi në kuvendin serb e sheh si ‘uverturë’ e sipas tij tani ky flamur do të ngrihet nga Maqedonia e Veriut deri në Mal të Zi. Deputetit shqiptar në kuvendin serb derisa po theksonte diskriminimin e minoriteteve kombëtare në Serbi e vendosi flamurin shqiptar para vetes kur kërkonte ndryshimin e ligjit për minoritete në Serbi.

Dacic aktin e deputetit shqiptar nga Lugina e Preshevës e pa si provokim dhe thirrje për provokime tjera sipas tij. “Mua më vijën mirë që Kamberi vendosi edhe flamurin e Serbisë, pasi rrallë e bën. Por, por kjo në njëfarë mënyre ‘uverturë’ për ditën e flamurit shqiptar të cilin të gjithë tani ta ngritin, nga Maqedonia e Veriut deri në Mal të Zi” tha Dacic për televizionin serb TV Prva.

Ai theksoi më tej se në legjislaturën e tanishme të Kuvendit serb ka pak deputetë të opozitës dhe Kamberi është në një mënyrë udhëheqësi i opozitës në parlament që, sipas Dacic, ai po e shfrytëzon që çdo vepër e tij të jetë relativisht ‘provokuese’ që të tërheqë vëmendjen e publikut.

Dacic shtoi se deri tani është përpjekur të jetë tolerant dhe efikas gjatë kryesimit të seancave të kuvendit dhe deri dje nuk ka tërhequr asnjë vërejtje, por konsideron se deputeti nga Bujanoci këtë herë e ‘teproi’. “S’kam tolerancë kur shkelet agjenda dhe rregulli i punës në parlament në të cilin nuk lejohet të vendosen flamuj partiak dhe flamuj të shteteve të huaja” theksoi Dacic. Dacic shtoi se ka dallim kur bëhet fjalë për rregulloret ligjore për përdorimin e flamujve nga minoritetet etnike.

“Nëse dikush ka probleme me këtë, le të kërkoj ndryshim të këtyre ligjeve, e jo kështu të provokoj” tha Dacic.
Deputeti Shaip Kamberi me gjithë se ankesat e Dacic pikërisht këtë po bënte, po kërkonte në seancën e të enjtes në Kuvendin e Serbisë, kur kërkoi ndryshimin e Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare dhe me atë rast vendosi flamurin e Shqipërisë para vetes, por e hoqi pas këmbënguljes së Dacic.

Kamberi po theksonte në kuvendin serb, jo për herë të parë në këtë legjislaturë, diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, me mjaft sukses që u dëshmua edhe nga zemërimi i Dacic. Kamberi me fjalimin e tij në hapjen e kuvendit serb kishte lënë përshtypje me fjalimin kritik ndaj pushtetit të Vucic.