Cyrih: 500 njerëz do të marrin të ardhura bazë mujore

500 njerëz në qytetin e Cyrihut do të marrin të ardhura bazë mujore si pjesë e një projekti pilot për tre vjet.
Projekti kërkon të provojë nëse të ardhurat themelore universale do të ishin të realizueshme në Zvicër, raporton “20 Minuta”.
Eksperimenti do të studiohet nga universitetet, ndërsa qyteti tashmë ka premtuar të mbulojë kostot e skemës.

Nisma ka mbështetjen e Social Demokratëve, Liberalëve të Gjelbër dhe Demokratëve të Lirë, përcjell albinfo.ch.
Lara Can, nga Social Demokratët, është një nga mbrojtësit e planit.
Ajo tha për 20 Minuta se ishte koha për të provuar nëse ideja – e cila është konsideruar shpesh por nuk është zbatuar ende në Zvicër – është e realizueshme.

“Koha është e pjekur për të avancuar të ardhurat themelore: nga utopia e supozuar te faktet shkencore”, tha ajo.
Shuma e të ardhurave nuk është bërë publike në këtë fazë, megjithëse Tages Anzeiger e Zvicrës raporton se ka të ngjarë të varet nga pagat e mëparshme të pjesëmarrësve – dhe se nuk duhet të bjerë nën nivelin e jetesës në Zvicër.
Programi pritet të zgjasë për tre vjet.