Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, ka anashkaluar sot në takim kryeshefin e vetëm shqiptar të Sektorëve për Punë të Brendshme në gjithë terrotorin e Maqedonisë.
Amir Dalipi, kryeshef i SPB-në Tetovë, sektor ky që mbulon edhe stacionet tjera policore në Pollog, nuk ka pranuar ftesë nga ministri Çulev për takimin ku u diskutua për gjendjen lidhur me sigurinë e shëndetit në kohë të pandemisë, si dhe për implementimin e masave qeveritare lidhur me mbrojtjen nga virusi Covid-19. Burime të gazetës KOHA informojnë se në takim nuk është ftuar as shefi i Byrosë për Siguri Publike, Sashe Tasevski, i cili është edhe njëra nga hallkat e implementimit të masave qeveritare për mbrojtje nga virusi.
“Nuk ka si të komentohet ndryshe pos bojkot i plotë i Çulevit ndaj zyrtarëve shqiptarë në MPB. I vetmi shqiptar si shef SPB, Amir Dalipi i policisë në Tetovë, sektor ky që mbulon disa stacione policore në Pollog, nuk është ftuar. Në takim ndërkohë Çulevi ka ftuar këshilltarin e tij maqedonas që mbulin Pollogun, si strukturë paralele për Tetovën dhe Gostivarin”, thonë burime tona në MPB, ndërsa shtojnë se në takim kanë marrë pjesë shefat e SPB-ve që udhëhiqen nga kuadro të VMRO-së, konkretisht të emëruarit nga vet Çulevi.
“E pafalshme është edhe mospjesëmarrja, konkretisht mungesa e ftesës për drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, pasi ky institucion është një ndër institucionet kryesore për zbatimin e masave mbrojtëse nga koronavirusi. Thënë ndryshe, takimi i sotëm i Çulevit i ngjante një takimi partiako-politik dhe jo një instituciono që kujdeset për sigurinë e gjithë shqiptarëve”, thonë zyrtarë në MPB.
Në ndërkohë, në profilin e tij në Facebook, ministri Çulev ka shkruar se edhe në periudhën që vjen, policia do të kujdeset për zbatimin e plotë të masave qeveritare.
“Policët kohën e fundit, duke ndërmarrë një gamë të gjerë veprimtarish, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në trajtimin e pandemisë Covid 19, dhe ata kanë treguar një nivel jashtëzakonisht të lartë të përgjegjësisë dhe profesionalizmit.
Por puna jonë nuk ndalet këtu, ne ende kemi përgjegjësi të kujdesemi për shëndetin, jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Në të kaluarën, policia ka treguar se ata janë afër qytetarëve, ata kujdesen për sigurinë dhe shëndetin e tyre dhe një qasje e tillë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në këtë drejtim, theksova që Sektorët dhe departamentet e brendshme përmes njësive të tyre organizative në të ardhmen duhet të marrin masa të përshtatshme për kontrollin dhe vendimet e Qeverisë që synojnë parandalimin e koronavirusit, si dhe të vazhdojnë të veprojnë pa dallim në zbatimin e ligjit dhe sanksionimin e duhur të shkelësve të tyre. Me këtë mënyrë pune, ne do të konfirmojmë angazhimin strategjik të Ministrisë së Punëve Brendshme për ligjshmëri dhe transparencë në punë”, shkruan Çulevi, ndërsa ka shoqëruar fotografi nga takimi me shefat e SPB-ve, por pa Dalipin e SPB-Tetovë dhe pa Tasevskin e BSP-së. (koha.mk)