Çulev: Gjykata Administrative e shfuqizoi vendimin e Qeverisë për 88 sistemime në MPB

Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, bëri të ditur në një prononcim se Gjykata Administrative në seancën e saj të mbajtur më 7 maj të këtij viti solli një aktgjykim, me të cilin miratohet padia e tij, ndërsa vendimi i Qeverisë me të cilin anulohen vendimet për sistemimin e vendeve të punës shfuqizohet.

Padia e ministrit Çulev ka të bëjë me një vendim të Qeverisë të marrë në fillim të shkurtit që anuloi gjithsej 88 vendime të sistemimeve të marra nga ana e ministrit të Brendshëm, Naqe Çulev.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Administrative është një konfirmim i politikave të gabuara të qeverisë.

“Një vendim i tillë i Gjykatës Administrative është një konfirmim tjetër i politikave të gabuara të zbatuara nga Qeveria, e të cilat janë në kundërshtim me ligjin, por edhe dëshmi se prapa të gjitha vendimeve të Qeverisë të ndërlidhura me Ministrinë e Brendshme janë përmbushje ekskluzive e qëllimeve politike. Vendimi i mëparshëm i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit dhe ky vendim i Gjykatës Administrative janë një konfirmim i pretendimeve të mia se sistemimet në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë në përputhje me ligjin”, qëndron në deklaratë me shkrim të ministrit Çulev.

Çulev inkurajon punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të veprojnë në përputhje me ligjin në të ardhmen dhe të respektojnë aktet.

“Në atë drejtim i inkurajoj punonjësit e Ministrisë së Brendshme që të veprojnë në përputhje me ligjin në të ardhmen dhe të respektojnë aktet e miratuara nga ana ime, sepse ato janë në përputhje me ligjin, i cili është në thelb i vetmi koncept mbi të cilin bazohet puna dhe drejtimi im me Ministrinë, ndërsa konfirmimi janë vendimet e KSHPK-së dhe Gjykatës Administrative”, tha ministri Çulev.