Çulev: Gjendja me Kovid-19 do të caktojë kur do të ketë zgjedhje

Gjëja më e rëndësishme për momentin është shëndeti i qytetarëve. Ende ekziston një rrezik i lartë i përhapjes së kësaj të keqe, i këtij infeksioni me Kovid-19. Dhe për momentin, të gjitha kapacitetet intelektuale dhe institucionale duhet të përqendrohen në daljen nga kjo krizë me Kovid-19 sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërsa kur duhet të ketë zgjedhje, do të vendosë edhe shkalla e të infektuarve, gjegjësisht si përballemi me situatën me Kovid-19. Këtë e deklaroi sonte ministri i Brendshëm, Naqe Çulev, në Studio e Hapur në 24 Vesti.

“Për momentin, ajo që shohim unë dhe Qeveria dhe çfarë vjen nga Komisioni për sëmundje infektive, ne ende nuk kemi dalë nga infeksioni me Kovid-19, kemi ende raste të infektuara, kemi akoma vdekje, për fat të keq, kemi akoma masa të jashtëzakonshme. Në këtë pikë, nuk duhet të bëhet fjalë fare për mbajtjen e zgjedhjeve. Për më tepër, për shembull, ne si MPB kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me OSBE-në, gjegjësisht me ODIHR-në në drejtim të organizimit të zgjedhjeve. Për momentin, as aeroportet nuk janë të hapura dhe as nuk bëhet fjalë për diçka të tillë, kështu që unë as nuk e di se si do të zhvilloheshin zgjedhjet në kuptim të zgjedhjeve të drejta dhe demokratik, pra me një monitorim adekuat ndërkombëtar ose të brendshëm”, tha Çulev.

Çulev kujtoi se kemi ndalesë për grupim, për distancë fizike, aeroportet janë ende të mbyllura, dhe gjëja më e rëndësishme për qytetarët është shëndeti i tyre. “Unë mendoj se politika duhet të përmbahet nga çdo qëllim që të harxhojë kohë dhe energji për çkado qoftë, përveç për atë që do të thotë përballje efektive me koronavirusin”, tha Çulev.

Ministria e Brendshme, siç tha ai, pavarësisht se kur do të jenë zgjedhjet, do të përgjigjet sipas detyrave të marra.

Sipas Çulevit, qytetarët në përgjithësi respektojnë orën policore, por ka përjashtime. Deri më tani, 1.499 kallëzime penale janë ngritur që nga 22 marsi, kur filloi kufizimi i parë i lëvizjes e deri në këto momente. Në shumicën e rasteve, ata janë njerëz të rinj.

Çulev tha se ai kishte sugjeruar që kufizimet në fundjavën e ardhshme të jenë të njëjta si në fundjavat normale.Konsideron se ka një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve për mbrojtjen personale, domethënë që shumica e tyre i respektojnë masat dhe vendimet, mbajnë maska ​​ose mjete të tjera për të mbuluar organet e frymëmarrjes.

Ministri Çulev inkurajon qytetarët të raportojnë dhunën në familje, nëse ka. Nëse ata nuk mund të bëjnë një telefonatë për shkak të kufizimeve të lëvizjes, këtë mund ta bëjnë në stacionin më të afërt policor.