Çulev demanton Filipçen: Nëna dhe djali nga Velesi kanë ndërruar jetë kah fundi i janarit dhe jo gjatë muajin mars

Çulev thirret në përvojën e policëve të cilët kanë qenë për ekspertizë dhe të cilët theksojnë se nënë e birë kishin ndërruar jetë gati dy muaj.

Vdekja e nënës dhe djalit në Veles ka ndodhur kah fundi i muajit janar apo eventualisht në fillim të muajit shkurt, theksoi ministri për punë të brendshme, Naqe Çulev, duke demantuar kështu zyrtarët shëndetësorë.

Për këtë, sipas Çulev flasin edhe të dhënat me të cilat disponon MPB-ja dhe sipas të cilave nënë e birë kishin afro dy muaj që kishin ndërruar jetë dhe jo një muaj siç pohojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Hetimi jonë përfshin bisedat me fqinjët, të dhëna për matësin e rrymës, matësin e ujit, thirrjet telefonike, të gjitha këto tregojnë në faktin se nga gjysma e janarit nënë e birë nuk kanë kontaktuar me askënd. Policët të cilët kanë kryer para-hetimin theksojnë se nga gjendja e trupave të pajetë shihej qartë se ata kishin ndërruar jetë para një kohe të gjatë dhe jo siç pohojnë nga zyrtarët shëndetësorë”, deklaroi Çulev.

Çulev më tej theksoi se para-hetimi ka përfunduar, ndërsa hetimi duhet të vërtetoj se kur në fakt kanë ndërruar jetë nëna dhe djali nga Velesi, që në fakt do të jep një pasqyrë të re se prej kur ekziston koronavirusi në vend.