Cramon: Kosova t’i kthehet dialogut, Serbia ta njohë Kosovën


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka deklaruar se fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti, duhet ta ketë prioritet dialogun me Serbinë.
Ky prioritet, sipas saj, duhet të jetë nëse Kosova nuk dëshiron të humb perspektivën evropiane.
“Nëse Kosova nuk dëshiron të humb perspektivën e saj evropiane, atëherë dialogun me Serbinë duhet të jetë në prioritet e Albin Kurtit dhe qeverinë e re”, tha ajo, raporton Deutsche Welle.
Ajo foli edhe për perspektivën evropiane të Serbisë që lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

“Njohja e Kosovës është një kusht për progres të mëtutjeshëm në negociatat mes Serbisë dhe BE-së. Kjo ka qenë e qartë për Beogradin. Shpresojmë që kjo do të ketë efekt në Beograd. Ka disa sinjale në këtë drejtim. Presidenti Vuçiq njëherë ka thënë se një ditë do të ketë disa gjëra që Serbia do të duhet t’i përbijë të cilat nuk do t’i pëlqejnë atij. Pyetja është se kur ai pozicion do të jetë i mundur të ketë përkrahjen më të madhe në vend”, tha Von Cramon.