COVID -19 nuk kursen as të vaksinuarit

31 për qind nga numri i përgjithshëm (19.025 persona) kanë qenë të vaksinuar, por janë prekur nga virusi, mes personave të vdekur 21 për qind kanë qenë të vaksinuar. Analiza nuk jep detaje lidhur me llojin e vaksinës që kanë marrë, por vë në dukje se pacientët janë vaksinuar me të gjitha llojet e vaksinave në dispozicion.

Mbi 60 mijë persona janë prekur nga Kovidi gjatë katër muajve të fundit në Maqedoni. Vala e rrezikshme e infektimeve që filloi në fund të muajve të verës nuk ka kursyer as të vaksinuarit, një pjesë e të cilëve janë sëmurë, ndërsa mes të vdekurve po ashtu evidentohen edhe persona të vaksinuar. Nga gjithsej 60.772 persona pozitivë, 31 për qind nga numri i përgjithshëm (19.025 persona) kanë qenë të vaksinuar por janë prekur nga virusi. Sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë për periudhën gusht-dhjetor, mes personave të vdekur 21 për qind kanë qenë të vaksinuar.

Të vaksinuar konsiderohen personat që janë vaksinuar me dy doza dhe kanë kaluar të paktën 14 ditë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës. Analiza nuk jep detaje lidhur me llojin e vaksinës që kanë marrë, por vë në dukje se pacientët janë vaksinuar me të gjitha llojet e vaksinave në dispozicion. Ministria e Shëndetësisë thekson rëndësinë e vaksinimit, çdo vaksinë që kemi në dispozicion është e sigurt dhe apelon që qytetarët të vaksinohen se vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë imunitet kolektiv dhe do të parandalojmë përhapjen e mutacioneve SarsKov2.

“Sipas statistikave të muajve të fundit, 41747 qytetarë, pra 69% e të infektuarve pozitivë me Covid 19 nuk janë vaksinuar. Vdekshmëria tek të pavaksinuarit është drastikisht më e lartë, tregon analiza. Në periudhën 06.08-02.12.2021 nga numri i përgjithshëm i vdekjeve me Covid 79, 79% kanë qenë të pavaksinuar dhe 21% të vaksinuar, sipas analizave të vdekurit kanë pasur disa sëmundje kronike të kombinuara”, thotë analiza e MSH. Ndërkohë që krahasuar me javën e kaluar statistikat zyrtare vërejnë se shifrat e infektimeve në vend po vijnë duke u ulur, krahasuar me trendin në rritje në disa vende të Bashkimit Evropian.

Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se javën e kaluar, krahasuar me një të kaluar, ka pasur një rënie prej 17.3 për qind të të sëmurëve me Covid-19, dhe deri ditën e djeshme janë vaksinuar 828 770 qytetarë. ISHP javën e kaluar regjistroi 2275 raste të reja pozitive nga 35 qytete të vendit dhe përqindja e pozitivitetit varion nga 7.8 për qind në 19 për qind, mesatarisht 13.1 për qind.

Nga 2744 testime të kryera ditën e djeshme, janë regjistruar 375 raste të reja me Covid-19 dhe nëntë persona kanë vdekur nga virusi. Janë regjistruar 507 pacientë të shëruar, njoftoi MSH. Më së shumti raste janë regjistruar në Shkup (180 pozitivë). për COVID, dhe më pak, nga një, në Negotinë, Krushevë dhe Pehçevë. Me Covid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 217.775, numri i të shëruarve është 204.474, numri i të vdekurve është 7.674 dhe numri i rasteve aktive është 5.627.

AFROHEN FESTA DHE DYFISHOHEN VDEKJET
Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën Hans Kluge njoftoi dje se një në dhjetë persona në rajonin evropian të OBSH-së priten që të infektohen me Covid-19 deri në fund të kësaj jave. Ai tha se muajin e kaluar paralajmëruan se deri në fillim të vitit 2022 mund të humbasin edhe gjysmë milioni jetë nëse nuk marrim masa urgjente.

“Ka kaluar një muaj dhe kanë vdekur 120,000 njerëz të tjerë dhe ka 10 milionë raste të tjera me Covid-19 në rajon. Deri në fund të kësaj jave, çdo i dhjeti person në rajonin evropian do të infektohet me Covid-19, gjë që do të konfirmohet nga testet laboratorike”, tha Kluge.

Ai theksoi se me afrimin e fundvitit dhe sezonit të festave, numri i vdekjeve të regjistruara nga Covid-19 ka arritur një nivel të lartë prej rreth 4100 vdekjesh në ditë, që është dyfishi i 2100 vdekjeve në ditë nga dy muaj më parë. Vetëm dy javë më parë, numri i përgjithshëm i vdekjeve nga Covid-19 në 53 vende të rajonit kaloi 1.5 milion. (koha.mk)