Covid 19 / Në rajonin e Pollogut filloi implementimi i projektit “Bëhu” mjek duke i dëgjuar mjekët – “Shëro” pacientë duke mos i infektuar të tjerët

Me moton “Bëhu” mjek duke i dëgjuar mjekët – “Shëro” pacientë duke mos i infektuar të tjerët, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” e filloi sot implementimin e projektit për sensibilizimin e opinionit publik dhe për vetëdijesimin e qytetarëve, me theks të veçantë te të rinjtë në mënyrë që pandemisë Covid-19 t’i qasen me seriozitetin maksimal, që nënkupton: përdorimin e masave mbrojtëse ta shndërrojnë në kulturë, ndërsa distancën sociale ta kuptojnë si detyrim shoqëror. Projekti synon që edhe përkundër pandemisë Covid -19 nxënësit ta ndjekin rregullisht procesin arsimor (cilindo variant) si: në shkollë me prani fizike modelin e kombinuar ose përmes sistemit online.

Sipas kryetarit të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” Selam Sulejmanit ky projekt i financuar nga Sekretariati i gjeneral i Qeverisë së RMV-së do zgjatë tre muaj (15.8.2020 – 15.11.2020) dhe i njëjti do të realizohet në tri faza: informimi i rregullt përmes mediumeve online, rrjeteve sociale dhe mediumeve vizuale; organizimi i tribunave online; dhe shpërndarja/ekspozimi i materialeve sensibilizuese në shkollat fillore dhe në ato të mesme në Komunën e Tetovës, në Komunën e Tearcës dhe Komunën e Bërvenicës.

“Përmes Ueb-faqes zyrtare: www.tradita.org dhe faqes zyrtare në facebook: facebook.com/shoqatatradita.org/, rregullisht (për çdo ditë) do ta informojmë rrjetin e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në komunat: Tetovë – Bërvenicë – Tearcë lidhur me numrin e të infektuarve të të shëruarve dhe të të vdekurve. Njëherazi do t’i përgënjeshtrojmë lajmet e rrejshme që përhapin panik pasiguri dhe huti te nxënësit dhe tek opinioni i gjerë. Po ashtu, përmes portalit dhe rrjetit tonë social do të raportojmë për masat e ndërmarra nga autoritetet përkatëse, duke sjellë në vëmendjen e tyre edhe informacion shtesë për studimet që zhvillohen në botë lidhur me parandalimin dhe përhapjen e virusit korona.

Ndërgjegjësimi për përdorimin e masave mbrojtëse siç janë: mbajtja e maskave, respektimi i distancës fizike, mos-grumbullimi, larja e rregullt e duarve dhe përdorimi i preparateve dezinfektuese do të jetë prioritet në punën tonë të informimit” – theksoi Selam Sulejmani Ai po ashtu pohon se në prag të fillimit të vitit të ri shkollor në qendrat arsimore të komunave të lartpërmendura Shoqata “Tradita” do të shpërndajnë edhe materiale propaganduese kundër pandemisë Covid-19.

“Projekti do ta shtrijë veprimtarinë në terren, përkatësisht në shkollat fillore dhe të mesme të komunave të lartpërmendura: Tetovë – Bërvenicë – Tearcë. Në qendrat arsimore të këtyre komunave do të ekspozojmë materiale me moto (porosi të thjeshta, por të kapshme) të cilat kanë të bëjnë me rregullat që nxënësit duhet t’i ndjekin rregullisht, si vajtje – ardhje, shkollë – shtëpi higjiena personale realizimi i aktiviteteve sportive gjithnjë në përputhje me “rregullat” e rekomanduara anti-covid si dhe shfrytëzimi i literaturës shtesë për situatën e përgjithshme dhe për ndikimin e pandemisë te moshat e reja” – u shpreh Selam Sulejmani i Shoqatës “Tradita”.

Bashkë me autoritet vendore dhe me drejtoritë e shkollave, me mësuesit dhe me arsimtarët përgjegjës, do të organizohen edhe veprimtari online. Për këtë qëllim Shoqata “Tradita” do t’i njoftojë në mënyrë të posaçme nxënësit e rajonit të Pollogut lidhur me virusin korona për zhvillimet e përgjithshme përkitazi me pandeminë globale Covid-19, për mënyrën sesi t’i përshtatemi realitetit të ri social si dhe për tejkalimin e pasojave psikologjike të shkaktuar nga pandemia. Nga “Tradita” thonë se veprimtaria e përgjithshme e shoqatës së tyre është tejet e njohur për opinion publik, ndaj besojnë se edhe ky projekt i dobishëm do të mirëpritet nga qytetaret e rajonit të Pollogut dhe më gjerë.