COVID-19, në disa shtete evropianë rikthehet karantina

Disa shtete evropiane po shqyrtojnë mundësinë për rikthimin e karantinës pas rritjes në mënyrë të ndjeshme të numrit të të infektuarve me Covid-19. Britania e Madhe ka futur tashmë Spanjën në listën e shteteve me “rrezik të lartë”. Ajo ka kërkuar nga shtetasit e saj që gjenden për pushime në Spanjë që pas kthimit të qëndrojnë 2 javë në karantinë dhe të mos paraqiten në vendet e tyre të punës. Një gjë e tillë ka revoltuar shumë britanikë që aktualisht gjendjen në pushime, por autoritetet britanike kanë tërhequr vërejtjen se një vendim të tillë nuk do të hezitojnë ta marrin edhe për shtetet e tjera ku numri i të infektuarve është i lartë.

Autoritetet në Francë dhe Gjermani gjithashtu kanë paralajmëruar mundësinë e rikthimit të karantinës. Në Francë numri i rasteve ditore sërish ka shënuar rritje me mbi 1000. Edhe në Gjermani numri i rasteve të reja është shqetësues.
Ministri i Jashtëm i Spanjës deklaroi se situata në këtë vend është “nën kontroll” ndërsa rastet e reja janë të lokalizuara dhe izoluara. Megjithatë në Spanjë dy javët e fundit është trefishuar numri i të infektuarve me virusin korona.