Covid-19, mbyllen 48 objekte hotelierike


Kreu i Këshillit të Inspektoratit Magdalena Filipovska-Grashkoska në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se Inspektorati i Tregut ka mbyllur gjithsej 48 objekte hotelierike në të gjithë territorin e vendit tonë për shkak se nuk kanë respektuar masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Konstatimi i përgjithshëm është se shumica e subjekteve respektojnë masat e qeverisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, por për fat të keq disa nga objektet e hotelierisë, veçanërisht në zonat rurale, vazhdojnë të shkelin masat,” tha Filipovska-Grashkoska.

Filipovska-Grashkoska njoftoi se Inspektorati ka kryer më shumë se 3.000 inspektime midis 2 dhe 5 prillit, ku janë mbyllur rreth 215 aparate për kafe (kafematë). Ajo bëri thirrje deri tek qytetarët që rreptësisht të shmangin përdorimin e aparateve për kafe dhe ujë sepse ato mund të jenë burim infeksioni.

Për më tepër, Filipovska-Grashkoska deklaroi se po kryhen kontrolle mbi produktet që kanë çmimet e ngrira./Alsat