COVID-19: Bota përgatitet për dozën e katërt ndërsa ka ende qytetarë në RMV që se kanë marrë dozën e parë

Përderisa në shtetet e zhvilluara do të zbatohet edhe doza e katër, në vendin tonë mbi 60% e popullsisë akoma nuk kanë marrë as dozën e parë anti kovid. Sipas rekomandimeve të OBSH-së nga Janari mund të aplikohet doza e katërt për kategoritë e rrezikuara me shëndet të dobësuar dhe sëmundje kronike.
Por, nga Qendra e Shëndetit Publik thonë se ky është “iluzion” për situatën epidemiologjike në vend. Lulzime Bajrami nga QSHP-Shkup tha se jemi shumë mbrapa me dozën e tretë dhe të parën.

“Nuk e di përse ne këtu kemi ngel mbrapa dhe nuk ka shumë interesim. Dozën e parë dhe të dytë e kanë marrë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve. Nuk mund të themi se nuk ka fare interesim. Mirëpo, për dozën e tretë ka më pak interes, nuk e di pse! Mos të flasim pastaj për dozat tjera, që flitet për duhet të jepet e dhe doza katër. Ne nuk mund të mendojmë njëherë për atë, pa e marr dozën e parë dhe të dytë, megjithatë nuk mund të shkohet te doza e katër pa i tejkaluar këto etapa, ka thënë Lulzime Bajrami, QSHP Shkup.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se masa të shtuara restriktive nuk mund të ketë as në kufizimin e lëvizjes së të pa vaksinuarve e as detyrim për vaksinimi. E vetmja mundësi sipas tyre është vetëdijesimi i qytetarëve që të imunizohen ne mënyrë që të kalojnë me pasoja me të lehta virusin korona.

“Gjatë ditës së djeshme janë aplikuar gjithsej 4,961 doza vaksinash, prej të cilave 1,721 janë aplikuar si dozë e parë, 1,030 janë rivaksinuar dhe 2,210 qytetarë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës. Deri më tani janë vaksinuar gjithsej 815.523 qytetarë, janë rivaksinuar 785.916 qytetarë dhe një dozë të tretë kanë marrë 56.349 qytetarë. Janë vaksinuar 57% e qytetarëve mbi 40 vjeç dhe 33% e popullsisë së moshës 18 deri në 39 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve shëndetësore deri më tani 39% e popullsisë është e imunizuar plotësisht. Me ofrimin e festave të fund vitit, rreziku për përhapjen e infeksionit sipas epidemiologëve rritet, sidomos kur varianti Omicron ka virulencë mjaft të lartë. Andaj thirrja e tyre është që të kenë kujdes me ndejat familjare, grupimet në ambiente të mbyllura publike e private me njerëz të panjohur.