Coutinho me fotoshop dhe gjesti i Pique tërheqin vëmendjen në foton zyrtare të Barçës

Barcelona ka bërë foton e skuadrës dhe këtu s’ka asgjë të keqe. Në të është edhe presidenti Laporta, përkrah trajnerit Koeman, por ai që vret sytë dhe tërheq vëmendjen e fansave është braziliani Coutinho. Arsyeja është e thjeshtë, Coutinho është përfshirë në foto vetëm falë photoshop-it.

Kjo pasi ish lojtari i Liverpool është ende në Brazil ku po kurohet pas një operacioni që kreu të hënën e kaluar në gjurin e majtë, kështu që edhe klubi nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse ta shtonte në imazhe duke përdorur software-n e zhvillimit të fotografive.

Në rrjetet sociale tifozët kanë kritikuar në fakt cilësinë e dobët të montazhit nga ana e Barcelonës, por ndërkohë tifozëve webit nuk i ka shpëtuar edhe gjesti i Pique.
Mbrojtësi qëndron ulur, në radhën e parë, por ndërkohë shumë njerëz në rrjetet sociale pyesin se përse po bën me duar një gjest që nuk është se ka shumë klas, ndërkohë që të tjerë kujtojnë se e njëjta shenjë më parë është bërë nga Neymar dhe Ronaldinho. Dy brazilianët prej disa vitesh nuk veshin më fanellën e Barçës, por me sa duket traditën e tyre e vazhdon Pique.