CNN: Putini e mori nga Bideni bash atë që e deshi

Edhe para se presidenti amerikan, Joe Biden, të takohej me homologun rus, Vladimir Putin, pritjet ishin të ulëta.
Përktheu: Nasuf Abdyli
Përtej disa zotimeve themelore për të hapur dialog konstruktiv me ShBA-në rreth çështjeve si siguria kibernetike dhe politika e jashtme, Putini nuk dha shenja se takimi i parë sy më sy i dy udhëheqësve të mërkurën ka prodhuar ndryshim qëndrimesh. Duket se asnjë numër i fjalëve miqësore nuk do ta ndalë udhëheqësin rus nga vazhdimi i realizimit me forcë të agjendës së tij politike brenda e jashtë vendit me pandëshkueshmëri pothuajse të plotë.

Pavarësisht se në fillim të konferencës për gazetarë tha se nuk mendon që kishte ndonjë lloj armiqësie mes tij dhe Bidenit, Putini u lëshua në një kundërsulm të njohur kundër ShBA-së për ta mënjanuar kritikën ndaj Federatës Ruse.
Kur u pyet nga CNN rreth sulmeve kibernetike ndaj institucioneve amerikane nga toka ruse, Putini e hapi temën e sulmeve kibernetike ndaj Rusisë. “Përderisa bëhet fjalë për sigurinë kibernetike, ne u pajtuam që do të fillojmë konsultime për këtë temë dhe besoj se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Qartazi, të dyja palët duhet të marrin detyrime të caktuara këtu”, deklaroi ai.

I vëzhguar rreth politikave të brendshme të Rusisë, Putini vazhdimisht i kritikoi stabilitetin dhe pozicionin moral të Amerikës, duke iu drejtuar trazirave të 6 janarit në Capitol dhe vrasjes së George Floyd-it. “Për shumë njerëz me ngjyrë në Amerikë, ju nuk keni kohë që ta hapni gojën dhe qëlloheni për vdekje”, tha Putini.

I pyetur rreth shtypjes së brendshme të Rusisë ndaj opozitës politike – sidomos për arrestimin e Aleksei Navalnyt – presidenti rus madje la të kuptohej se disidenti i njohur dëshiroi të arrestohej, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
“Ky njeri e dinte se ishte duke e shkelur ligjin e Rusisë. Ai është dënuar dy herë. Ai deshi që me vetëdije ta shkelte ligjin. Ai e bëri saktësisht atë që deshi ta bënte, prandaj çfarë diskutimi mund të kemi ne”, tha presidenti rus.

Për temën e aneksimit ilegal rus të Krimesë nga Ukraina, Putini pretendoi se aktiviteti i ushtrisë së vendit të tij në rajon ishte tërësisht në linjë me ligjin ndërkombëtar dhe se në fakt amerikanët janë agresorë për “forcimin e kapaciteteve në kufirin rus”. Për çështjen e ndjeshme të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, ai tha se nuk ka asgjë për t’u diskutuar.
Vëzhguesit e rregullt të presidentit rus janë të mësuar me këtë nivel të vetëbesimit dhe përçmimit. Putini është person aq i sigurt në pushtetin e tij absolut brenda vendit, saqë mund të futet në një takim me njeriun më të fuqishëm të botës pa humbur praktikisht asgjë.

Çfarë mori me vete Putini?
Pamja e samitit ishte pothuajse e qepur për t’iu përshtatur nevojave të brendshme të Putinit. Takimet u kërkuan nga ShBA-ja, e cila, përderisa bëhet fjalë për Kremlinin, konfirmon se Putini është një udhëheqës me reputacion të ngjashëm me presidentin amerikan.

“Kjo është saktësisht ajo që e dëshiron Kremlini – të flitet me ShBA-në si të barabartë dhe në atë mënyrë që pala tjetër nuk kërkon ndryshim pozicioni si kusht për dialog”, thotë Oleg Ignatov, analist i lartë rus në Grupin e Krizave me seli në Moskë.
“Nuk ka dyshim që Putini do të vazhdojë ta testojë Bidenin, nëse dialogu bllokohet ose zhvillohet në një drejtim që është i pafavorshëm për Moskën. Ky ende nuk është fillimi i normalizimit të raporteve. Është një pushim në përkeqësimin e tyre të mëtejmë”, shton ai.

Sado jointuitive mund të jetë për Putinin që ta ngacmojë presidentin amerikan në sy më vonë gjatë rrjedhës, secili veprim i presidentit rus bëhet me qëllim për atë se si do të lujë rol ai veprim për Putinin brenda vendit.
Keir Giles, analist i lartë në Programin për Rusinë dhe Euroazinë në Chatham House, thekson se rezistenca ndaj ShBA-së ka qenë pjesë e madhe e suksesit të Putinit në Rusi.
“Përgjigjja e tij e fuqishme ndaj pyetjeve të lehta të medieve të zbutura ruse dhe ndaj sfidimit nga gazetarët e huaj do t’i sjellë pikë në shtëpi nga ata rusë të cilët e ndajnë me të bindjen se është Perëndimi ai që është partner i rrezikshëm, i paparashikueshëm dhe agresiv në marrëdhënie”, thotë Giles.

Natyrisht, ngjarjet e së mërkurës kanë rol gjithashtu edhe në një narracion më të gjatë që ka filluar të kenë efekt gjatë dekadës së kaluar: Perëndimi, pavarësisht se sa ashpër flet ndaj Rusisë, ka qenë kryesisht i paaftë për t’i kontrolluar Putinin dhe aleatët e tij. Në sytë e kundërshtarëve të Putinit, nuk ka pasur pasoja të mjaftueshme për një njeri që helmon kundërshtarë politikë, që ndërhyn në zgjedhjet e shteteve të tjera, që e përkrah diktatorin sirian, Bashar al-Assad, në bombardimin e vendit të vet dhe që ka aneksuar territor të huaj.

Në sytë e shumë prej përkrahësve të tij, takimi i Putinit me presidentin amerikan do të duket si dëshmi që udhëheqësi më i lartë i Rusisë është tërësisht i justifikuar për veprimet e tij. Ata mund të argumentojnë se ai është pajtuar me arsye që të punojë me ShBA-në rreth çështjeve të mëdha ndërkombëtare si siguria dhe rivendosja e kanaleve tradicionale diplomatike. Ai arriti që ta bënte këtë duke i theksuar të metat e shoqërisë amerikane e duke i mbrojtur të vetat.

Samiti gjithashtu i ka dhënë Putinit një mundësi që t’i ndërpresë pasojat nga përkeqësimi i marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit, sepse ShBA-ja tani mund të jetë ngurruese që të vendosë sanksione ekonomike shtesë ndaj Rusisë apo ta qortojë Putinin për arrestimin e disidentëve në shtëpi. E tërë kjo mund të jetë e dobishme, kur Rusia do të mbajë zgjedhje parlamentare më vonë këtë vit.
Thënë shkurt, Putini shkoi në Gjenevë dhe e mori saktësisht atë që e deshi. Ai u largua nga Zvicra me një fitore të madhe diplomatike, thjesht duke u paraqitur aty.