“Ç’mu paska thye krahu”, si reagoi Rugova për lajmin e vrasjes se Aganit


Të mërkuren u bënë 21 vite nga vrasja e profesorit dhe veprimtarit Fehmi Agani,i cili ishte ndër themeluesit e LDK-së dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Adnan Merovci që ka qëndruar krah presidentit të parë të Kosovës në momente të vështira, tregon për këtë moment, të cilin e cilësoi si më të vështrin.

Sipas tij, data 6 maj e vitit 1999 kur ishte ekzekutuar nga forcat serbe profesori Fehmi Agani ishte momenti më i vështirë, sidomos pasi ai ishte ngarkuar që t’ia kumtonte lajmin Rugovës.

Duke kujtuar atë moment, Merovci thotë se reagimi i parë i ish-presidentit ka qenë “ç’mu paska thye krahu” për të treguar rëndësinë që Agani kishte në jetën e Rugovës.

“Momenti më pikëllues po e shkoqis është rasti me 6 maj 1999 kur ne vetëm kishim udhëtuar nga ajo peng marrje kur serbët kishin ekzekutuar profesor Fehmi Aganin dhe italianët që e kishin kuptuar këtë informatë nuk kishin mund t’ia komunikonin Rugovës dhe më ngarkuan që unë t’ia them. Në atë rast ishte diku pritur në avion për të shkuar në një vizitë prej Romës. I them kryetar po dua të them diçka… Prej mënyrës si reagoi ai priti diçka të pakëndshme. Thash na ke thënë që në rrëmujat më të mëdha njeriu nuk duhet ta humb kokën sepse duhet të vazhdojë të punojë. ‘Po fol më çka ka ndodhur?’, tha ai. Goxha me nervoz, thash ‘ngushëllime, profesor Agani ka ndërruar jetë e kanë vrarë serbët’. Edhe tash kur po rrëfehem jam jashtëzakonisht i prekur. Iu nxiu fytyra dhe si asnjëherë tjetër sepse ka pasur edhe vdekje edhe më të dhimbshme. Më tha ‘ç’mu paska thye krahu’, kjo është fjala autentike e presidentit Rugova”, tha ai për KosovaPress.

Ndryshe, Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, u vra afër Lipjanit nga serbë me uniforma dhe të armatosur. Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren.

Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.