Qeveria nuk do të shpallë gjendje krize në sektorin energjetik. Vlerëson se gjendja me prodhimin e energjisë elektrike është stabile. Çmimi i rrymës për qytetarët është i garantuar vetëm deri në Vitin e Ri, ndërsa nga 1 janari ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi siguron se nuk do të ketë goditje të re ndaj çmimeve. Ai sot tha se nuk ka informacione se sa janë rritur shpenzimet për furnizim të rrymës të kompanive në tregun e lirë, ndonëse informacionet thonë se ato kalojnë 50 %. Nëse tenderi për blerjen e thëngjillit për bllokun e tretë të TEC Manastirit dështon për herë të dytë, atëherë Elektranat do të jenë të detyruar të blejë energji elektrike me çmim pesëfish më të lartë se ai që e prodhon dhe ia ofron furnizuesit universal.
Vitin e ardhshëm, 65% e nevojave të amvisërive duhet të furnizohen nga Elektranat përmes EVN HOUM, por këtë vit dhe vitin e ardhshëm planifikojmë të mos jenë 65%, por 100%, që do të thotë se në një farë mënyre do të ketë çmim të subvencionuar edhe për konsumatorët e vegjël dhe amvisëritë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Pas takimit në Ministrinë e Ekonomisë, përfaqësuesit e kompanive energjetike nga vendi dhe ekspertët nuk u ndalën pranë ministrit për të dhënë garanci se këtë dimër do të ketë energji elektrike. Bekteshi thotë se të gjithë janë pajtuar se nuk ka nevojë të shpallet gjendje krize, por drejtori i Elektranave Vasko Kovaçevski me hapa të shpejtë bëri përpjekje t’i shmangë ekipet e gazetarëve dhe të hyjë në veturën zyrtare. Ai vetëm na tha se është marrë vesh që ministri Bekteshi t’i kumtojë detajet.
Prej sot është aktivizuar blloku i dytë i TEC Manastirit kurse autoritetet tentojnë të blejnë mazut për aktivizimin e TEC Negotinë. Bekteshi nuk tregoi se sa janë rezervat shtetërore të qymyrit për momentin. Konsideron se MEPSO duhet të ndihmohet me mjete nga buxheti i shtetit në mënyrë që kompania të mbetet likuide. Në rast të gjendjes së jashtëzakonshme për energjinë elektrike, fillimisht do të fiken kandelabrat dhe ndriçimi tjetër rrugor, për të kursyer energjinë elektrike për amvisëritë. Për herë të fundit një situatë të tillë krize në Maqedoni, Qeveria e shpalli në vitin 2012 kur ministër i ekonomisë ishte Valon Saraçini.