Çmimet e naftës vazhdojnë të ngritën – qytetarët thonë se do t’i përdorin veturat më rrallë

Çmimi i naftës dhe benzinës në vendin tonë është duke u rritur çdo ditë nga 8 deri në 10 cent për një litër. Pavarësisht kësaj, në rrugët tona vazhdon të ketë numër të madh automjetesh, edhe pse çmimet e karburanteve tashmë kanë arritur në mbi 1.60 euro.

Me këtë trend të ngritjes së vazhdueshme, pritet që shumë shpejt çmimet të arrijnë deri në 2 euro për një litër naftë.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë dhe ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj tha për Telegrafin se kriza në Ukrainë ka krijuar panik te afaristët dhe importuesit e naftës në Kosovë.

“Realisht është kriza në Ukrainë ajo që ka krijuar një lloj paniku në tregjet e Kosovës dhe realisht afaristët tonë importuesit tonë të naftës po iu përshtaten rregullave të bursës. Ky çmim i bursës po reflektohet në mënyrë automatike në pikat shitëse dhe kjo rritje e çmimeve po e prek xhepin e qytetarëve. Qeveria e Kosovës ishte dashtë që në bashkëpunim me Shoqatën e Naftëtarëve dhe me importuesit e naftës të gjejnë zgjidhjet më të mira që do të ndikonin të kishim një çmim më të arsyeshëm për konsumatorët në Kosovë”, deklaroi Mulaj.

Mulaj shtoi se nëse ka ngritje të çmimit të naftës rrjedhimisht do të ketë edhe rritje të çmimit të prodhimeve të tjera dhe ndikon në koston e jetës të qytetarëve.

Sipas tij, Qeveria duhet të ketë bashkëpunim me bizneset dhe importuesit e naftës në Kosovë, me qëllim të eliminimit të abuzimeve me çmime nga shitësit më pakicë. Ai thotë se në këto kushte, Qeveria duhet që ta heqë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për karburantet.

“Duhet të realizohet një dialog i mirëfilltë mes Qeverisë dhe importuesve të naftës me qëllim që të shihen problemet dhe sfidat e importuesve të naftës dhe ky të jetë një komunikim i mirëfilltë mes importuesve dhe shitësve me pakicë, që të mos ketë abuzime. Duhet të mendohet për politikat fiskale dhe të shikohet se a mundet të zvogëlohet TVSH-ja dhe akciza”, theksoi ai.