Çmimet e larta, gatimi i bukës kthehet në shtëpi

Tani më dy muaj disa nga pronarët të furrave në Dibër ankohen në uljen të prodhimtarisë të bukëve dhe gatimeve të bardha. Në bisedën që patëm me pronarët u informuam se ka një ulje të prodhimtarisë të bukës dhe gatimeve të bardha edhe atë kryesisht për shkak të sezonit por edhe rritjes së çmimit të bukës. Amviset dibrane në një pjesë të mirë u janë përvesh mëngëve dhe gatuajnë bukët në shtëpitë e tyre.

Pronarët e disa furrave që veprojnë në Dibër thonë se 30 për qind e prodhimtarisë është ulur muajt e fundit. Shiten më pakë bukë por edhe gatimet e bardha. Gjatë sezonit dimëror sipas tyre ndizen koftorët dhe amviset dibrane gatuajnë bukë në shtëpi. Kjo ndodh si me amviset e qytetit ashtu edhe me amviset në fshatra. Por, qëndron fakti se rritja e çmimit të miellit dukshëm ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit të bukës dhe gatimeve të bardha.

Dukuria në fjalë ka shqetësuar pronarët e furrave të cilët shtojnë se çmimet kanë detyruar një pjesë të theksuar të familjeve dibrane bukën ta përgatisin në shtëpi, meqë tani gjatë sezonit dimëror koftorët janë të ndezur dhe ata përdoret edhe për pjekjen e bukës. Pronari i një furre në Dibër, Lutfi Nuredini thekson se një ndikim të madh në uljen e prodhimtarisë të bukës ka pikërisht sezoni dimëror. Ai shton se kjo ka ndodhur edhe gjatë viteve të tjera në sezonin dimëror.

Në bisedën që patëm me disa bashkëqytetarë si në qytet ashtu edhe në fshatra, ulja e punës në furrat e Dibrës ka të bëj me çmimet të bukës dhe gatimeve të bardha. A.T nga Dibra thotë se nga muaji nëntor i vitit të kaluar ka vendosur që të blej miell dhe bashkëshortja e tij të gatuaj bukën në shtëpi. “Një bukë në Dibër 600 gramsh shitet nga 30 ose 35 denarë. Poashtu ka një rritje të madhe edhe të gatimeve të bardha, një gjevrek, apo gatime të tjera të bardha sot kanë çmimin mbi 25 denarë”, thot ai dhe potencon se përfitimet të furrave janë të mëdha në kurriz të dibranëve.

Banori i një fshati në komunën e Dibrës thotë se për shkak të bashkëshortes së sëmur gjithmonë ka ble bukë në furrat e Dibrës. Ai shton se kohëve të fundit për shkak të çmimeve të larta të bukës është i detyruar që të siguroj bukë që prodhohet në qytete të tjera të vendit dhe shitet në markete në Dibër.”Në disa nga marketet këta bukë shiten edhe nga 19 denarë”, thotë ai.

Për derisa konsumatorët dibran ankohen në çmimet e larta të bukës dhe gatimeve të bardha, pronarët e furrave thonë se çmimet i dikton rritja e çmimit të miellit. Në një situatë të këtillë shqetësimet rriten edhe për shkak të paralajmërimeve të reja për rritjen e çmimeve të bukës dhe gatimeve të bardha. (koha.mk)