Clinton kujton vitet e 90-ta: “I ofrova Jelcinit dhe Putinit anëtarësimin e Rusisë në NATO”

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton tha se u ofroi liderëve të shtetit rus, Boris Jelcin dhe Vladimir Putin mundësinë e anëtarësimit të Rusisë në NATO. Në një shkrim autorial për gazetën The Atlantic, ai shkroi për zhvillimin e marrëdhënieve midis aleancës dhe Rusisë në vitet 1990.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, ne e mbajtëm hapur derën e NATO-s për hyrjen e Rusisë, të cilën ia thashë qartë Jelcinit dhe më pas pasuesit të tij, Vladimir Putinit”, tha Clinton.
“Bëra gjithçka që munda për të ndihmuar Rusinë të bënte zgjedhjen e duhur dhe të bëhej një demokraci e madhe në shekullin e XXI-të”, shtoi ai.

Clinton ka rikujtuar se në vitin 1994, Rusia u bë vendi i parë që iu bashkua Partneritetit për Paqe, një program i bashkëpunimit praktik dypalësh, duke përfshirë edhe stërvitjet e përbashkëta ndërmjet vendeve evropiane të NATO-s dhe atyre joanëtare të NATO-s. Ish-kreu i Shteteve të Bashkuara gjithashtu i quajti të rreme pretendimet se Shtetet e Bashkuara u përpoqën të izolonin Rusinë dhe të mos e respektonin atë, por pranoi se NATO po zgjerohej në lindje pavarësisht kundërshtimeve të Moskës.