Clark sot në Kosovë, Abdixhiku ia ndan sot dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”

Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, sot do të jetë për vizitë në Kosovë. Ai do të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili do t’ia ndajë dekoratën “Ibrahim Rugova”.

“Në orën 09:00, në Selinë Qendrore, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës me bashkëpunëtorë pret në takim gjeneral Wesley Clark. Kryetari Abdixhiku po ashtu gjeneralit Clark i ndan Dekoratën dr. Ibrahim Rugova, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Clark shërbeu si Komandant Suprem i Aleatëve në Europë i NATO-s nga viti 1997 deri në vitin 2000, duke komanduar Operacionin e Forcave Aleate gjatë luftës në Kosovë.

Ai kaloi 34 vjet në ushtrinë amerikane, duke marrë shumë dekorata ushtarake, disa tituj nderi dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë.