Marrëveshja e Ohrit mundësoi hapjen e dyerve të institucioneve në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht për të rinjtë shqiptarë, thonë disa nga të rinjtë e anketuar nga Radio Evropa e Lirë. Megjithëkëtë, ata shtojnë se ky dokument nuk ka kontribuar për të ndaluar hovin e braktisjes së shtetit.
Marrëveshja e Ohrit, e cila u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001, nga faktorët relevantë të vendit me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar për bazë kishte avancimin e të drejtave të shqiptarëve, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, si dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Të rinjtë që kanë lindur po të njëjtin vit kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit ose vetëm një vit më vonë, thonë se ky dokument kornizë mbase ka shënuar rezultate të dukshme për eliminimin e sfidave rreth diskriminimit etnik, por ka hapur një hendek të thellë sa i përket diskriminimit mbi baza të përkatësisë partiake.
“Personat që nuk janë kompetent, janë punësuar në institucione, kurse ata që meritojnë se janë kompetentë për vendet e caktuara të punës, nuk punësohen pasi nuk janë pjesë e partive. Kjo shkakton dhe largimin e të rinjve pasi ata kur shohin se nuk kanë mundësi të barabarta, pasi s’ janë pjesë e partive politike, zgjidhja e vetme u mbetet rruga e mërgimit”, thotë Blendi Hodai, 20-vjeçar, i cili tani sapo ka përfunduar vitin e parë të studimeve në Universitetin e Shkupit. Blendi ka vendosur të studiojë në gjuhën maqedonase, pasi siç thotë, mbetet edhe shumë punë për sa i përket njohjes së ndërsjellë të dy etniteteve, shqiptarëve dhe maqedonasve:
“Marrëveshja e Ohrit mbase e ndali luftën, por nuk solli paqen pasi edhe pas dy dekadash ne kemi tensione ndëretnike, mbase sporadike. Por, e gjithë kjo është si rrjedhojë e mungesës së angazhimit të institucioneve për të kontribuar në njohjen e palëve që kanë qenë të përfshira në konfliktin e vitit 2001″.
“Mendoj në kuptimin e integrimit të të rinjve nga Tetova apo Gostivari, qytete me shumicë shqiptare me të rinjtë nga Prilepi apo qytetet në lindje të vendit. Pra, të kenë më shumë kontakte ndërmjet vete pasi mungesa e kontaktit shkakton nxitjen e urrejtjes mes të rinjve”, thotë Hodai.
Era Aliu, e cila është aktiviste e të drejtave të të rinjve, thotë se Marrëveshja e Ohrit për dallim nga gjenerata e prindërve të saj, që e kishte të vështirë të ishte pjesë e institucioneve, për shkak të mungesës së institucioneve arsimore në gjuhën shqipe, si dhe diskriminimit mbi baza etnike. Tani, me legalizimin e Universitetit të Tetovës, si dhe hapjen e universitetit “Nënë Tereza”, shqiptarët kanë përgatitjen e nevojshme profesionale për të qenë pjesë e institucioneve të shtetit. Por, ajo thotë se sfidë mbetet pozita vendimmarrëse e shqiptarëve në institucione si dhe përfshirjes së të rinjve në krijimin e politikave, qoftë në pushtetin qendror, apo atë lokal.
“Ne nuk jemi pjesë e vendimmarrjes në këtë vend, mendoj si të rinj. Duhet punuar më shumë që të bëhemi pjesë e strukturave vendimmarrëse, në mënyrë që ta kemi më të lehtë zgjidhjen e problemeve që na tangojnë si të rinj në Maqedoninë e Veriut”, thotë Era Aliu.
Ndërkaq Leutrim Bilalli, i cili ka lindur një vit pas Marrëveshjes së Ohrit, aktualisht studion në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se e ka të vështirë të kuptojë se pse ishte e nevojshme që përmes konfliktit të armatosur shqiptarët të mund t’i gëzojnë të drejtat që paraqesin bërthamën e lirive të njeriut, si e drejta për të përdorur gjuhën shqipe dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e shtetit në përputhje me numrin e përgjithshëm që përbëjnë popullsinë e vendit.
“Shumica e të drejtave që i kanë fituar shqiptarët me Marrëveshjen e Ohrit, janë të drejta që na takojnë çdo individi që nga lindja në vendet me demokraci.Shumë të drejta që thuhet se shqiptarëve u garantohen me Marrëveshjen e Ohrit janë të drejta që burojnë nga të drejtat dhe liritë e njeriut. Arritja e një marrëveshjeje për probleme të këtilla esenciale, parqet ‘non sens’ për një shoqëri demokratike, pasi janë të drejta të garantuara”, thotë Bilalli.
Marrëveshja e Ohrit, e cila u arrit pas bisedave intensive të ekspertëve, u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 nga presidenti i atëhershëm maqedonas, Boris Trajkovski, si dhe liderët e partive kryesore politike: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri. Kjo marrëveshje u nënshkrua në praninë e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë Fransoa Leotard dhe James Perdiue, dhe njëherësh iu dha fund konfliktit të armatosur në vend.
Marrëveshja e Ohrit për bazë ka zhvillimin e shtetit mbi parime të bashkëjetesës dhe barazisë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, mosdiskriminimin, përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucione, të drejtat për arsimim të lartë për shqiptarët, përdorimin zyrtar të gjuhëve për etnitet e përfaqësuara mbi 20 për qind, zhvillimin e pushtetit të decentralizuar, etj.