Çka po ndodh në Mitrovicë? Ndizet sirena e alarmit (VIDEO)

Sirena të alarmit janë dëgjuar pasditen e sotme në veri të Mitrovicës. Kjo ka zgjatur për dhjetë minuta, nga ora 17:40, por që ky alarm i njohur si ‘usbuna’, njihet si sinjalizues i serbëve për grumbullim në veri. Kosova nga sot në mesnatë do të fillojë të përdorë masën e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet serbe. Si pasojë e kësaj ka pasur reagime të shumta nga politikanët serbë, por edhe nga qytetarë të shumtë. Kurti theksoi se nuk ka vend për tension, pasi sipas tij, po bëhet diçka legjitime dhe legale.

“Unë jam kryeministër i progresit dhe shpresës, e di që fqinji ynë në skenën politike atje, ka shumë politikanë deri të kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës dhe frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternative dhe andaj besoj dhe punojë që gjithçka nesër të shkojë mirë”, ka thënë Kurti.

“Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë, ne do t’ua shtojmë një flet-deklarim, sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njëjtë me çdo qytetarë të Kosovës kur e kalon kufirin e shkon në Serbi”, shtoi ai.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se situata me Republikën e Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë më e ndërlikuar sesa që është sot. Vuçiq këto komente i dha sot gjatë një konference, pasi është takuar dje me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, shkruan Tanjug.

“Unë e di që pas shumë vitesh, dhe kjo ka ndodhur për dekada, shumë njerëz nuk duan as të dëgjojnë për problemet reale me të cilat po përballet vendi ynë dhe populli ynë. Kjo. Nuk kemi qenë kurrë në një situatë më të ndërlikuar sesa sot”, është shprehur Vuçiq.
“Asociacioni i komunave serbe nuk është formuar që 3390 ditë, askush nuk ka reaguar”.