Çka dihet për vërshimet në Pejë: Nënë e bir humbën jetën, në lagjen Fidanishte u lënduan dy persona

Si pasojë e vërshimeve një nënë bashkë me djalin e saj 5-vjeç kanë vdekur në lagjen “Asllan Çeshme” në Pejë.

Vdekjen e 5-vjeçarit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa nëna e tij u gjet nga njësitet policore rreth orёs 01:20, pasi fillimisht u raportua e zhdukur, gjithashtu vdekjen e gruas e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Policia kishte kёrkuar asistim edhe nga njësia pёr kërkim shpёtim e FSK-sё tё dalin nё vendin e ngjarjes, pёr kërkimin e personit tё zhdukur (nënës së 5-vjeçarit).

Gjithashtu edhe nё lagjen “Fidanishte” nё Pejё dy persona kanё pёsuar lëndime trupore, tё njëjtit janё dёrguar nё Spiatlin rajonal nё Pejё, njofton policia.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, është shprehur i tronditur për humbjen e dy jetëve (nënë e bir), në Pejë, si pasojë e vërshimeve.

Muhaxheri ka deklaruar se ekipet ndodhen në terren të cilat po vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet.

Postimi i tij i plotë:

Jam shumë i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur sonte në Pejë si pasojë e vërshimeve, ku ka pasur edhe humbje jete të çmuara! Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë.

Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë.

Ndihma në kohë të vështira është thelbësore. Ekipet tona janë në terren dhe po e vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet.