Cili është borxhi i EVN-së ndaj BFI-së?

Nga Mr. Eset Shaqiri

Në mënyrë shumë naive, instalacioni i dhunshëm në krye të BFI-së, Shaqir Fetai, gjatë një takimi me përfaqësuesin e qeverisë së vendit, mori rolin e inkasantit të rrymës, duke u shndërruar vullnetarisht në propagues dhe mbrojtës të interesave të EVN-së! Për këtë shërbim edhe mund të paguhet! Një Zot e di! Jemi në të tjera kushte tregu!

Shaqir Fetai pranoi se BFI-ja me xhamitë dhe institucionet e veta qenka ndër borxhlinjtë më të mëdhenj të EVN-së. Pra, me një fjalë, xhamitë nuk guxojnë të shpenzojnë kaq shumë energji elektrike! Po çka nëse vazhdojnë të shpenzojnë njësoj? Do t’ua vëmë dryrin? Po edhe nëse harxhojnë kaq shumë, a mos po e prekin buxhetin e shtetit, apo, deri në qindarkën e fundit paguhet nga vetë xhemati! Xhemati ka vendosur që gjatë faljes së vakteve, apo gjatë dëgjimit të ligjeratave fetare, vazu-nasihateve apo edhe mektebeve, ato t’i kryej ose duke u ngrohur ose duke u freskuar dhe, për këtë “lluks” ata janë në gjendje për të paguar pa bërë asnjë fjalë! Dhe, pa dyshim që kanë paguar, madje, nëpër disa xhami (që janë shumë) brenda një apo dy xhumave janë mbledhur paratë për një vit pagesë të rrymës, aq sa mund të harxhojnë ato xhami! Është problem tjetër pastaj fakti se ku përfundojnë ato para! Shaqir Fetai duhet ta ketë të qartë si Zotin që është Një se, paratë për rrymë, ujë e plehëra, mblidhen, madje edhe tejkalohen! Ky duhet të jetë problem për Shaqir Fetain, dhe jo shpenzimi i rrymës së EVN-së, e cila është e obliguar që ta furnizojë çdo qytetar të vendit me rrymë, pavarësisht çmimit dhe kostove të tjera!

Ku po treten paratë e xhematit me dedikim! Kush po i ha e kush po i vjedh ato para që xhemati, për çdo xhuma, i jep për nevoja të xhamive e të institucioneve të tjera (për rrymë, ujë…) Ky është problem për një analizë të gjërë e të thuktë, i cili, për rrjedhojë, do të shkaktonte nevojën urgjene për një reformë të thellë në këtë aspekt!

Shaqir Fetai, para se të shndërrohet në inkasant të EVN-së dhe në propagues vullnetar të kësaj korporate, duhet të dijë edhe një fakt: a mos është kjo trysni e EVN-së sa për t’i ikur borxhit të saj që e ka ndaj BFI-së?!

Vite më parë, diku 2007-2008, EVN-ja tentoi që t’i bëjë trysni BFI-së dhe ta paraqesë edhe atëherë “si borxhli më të madh në vend” dhe si shpenzuese e rrymës industriale! Megjithatë, atëherë pati persona që me vetëmohim mbronin interesat e BFI-së! Sekretari Gjeneral, H. Afrim ef. Tahiri, i inspektoi të gjitha xhamitë në vend dhe, doli me konstatim se, borxhi i EVN-së ndaj BFI-së është disa herë më i madh se sa borxhi i BFI-së ndaj EVN-së që atëbotë vlerësohej diku rreth 100 mij euro!

Pasi ua prezantoi faktet Afrim Tahiri përfaqësuesve të EVN-së, pasi i bindi se janë borxhlinj të mëdhenj ndaj BFI-së, ata pranuan që xhamitë të mos paguajnë më sipas tarifës “rrymë industriale”! Veç kësaj, EVN-ja u bë edhe “babadimri” i BFI-së, duke dhuruar pako humanitare para çdo viti të ri! Nga ana tjetër, do të nisë edhe një komplot çuditërisht “i fshehur” kundër H. Afrim ef. Tahirit, i cili këmbëngulte në mbrojtjen e interesave të BFI-së e jo të EVN-së!

Në çka bazohej ky “konflikt energjetik”? A e di Shaqir Fetai se, në arkivin e Institucionit duhet të jetë raporti i Afrim ef. Tahirit pas inspektimit të të gjitha xhamive në vend! Raporti flet për mbi 50 xhami brenda oborrit të të cilëve ka trafostacione të rrymës elektrike! Edhe vendi i atyre trafove duhet të përfshihet në procesin e decentralizimit të pronës së vakëfit! Shteti dikur i mori pa pyetur dhe, nuk mund që me automatizëm të kalojnë në pronësi të një korporate private!

Po kaq trafostacione janë edhe jashtë avllive të xhamive por që janë fare pranë ose përreth! Ekziston Lista e xhamive me emër e mbiemër të cilët rrezikohen nga prezenca fizike e këtyre trafostacioneve, për të cilat nuk paguhet kurrfarë qeraje!

Shaqir Fetai bën mirë që takimet me faktorët relevant të vendit t’i shfrytëzojë për të ndikuar te EVN-ja për këtë përvetësim të vkëfit të BFI-së dhe, jo abdalli vullnetarisht të shndërrohet në inkasant si dhe në propagues naiv i EVN-së!

Asgjë nuk i ka borxh BFI-ja EVN-së sa i ka kjo borxh BFI-së! Ia ka borxh tokën ku i ka ngritur trafostacionet si dhe sigurinë fizike të xhamive nga ndonjë avari prej këtyre trafove që hasen madje edhe nëpër oborre të xhamive që paraqesin vlerë kulturo-historike si dhe të trashëgimisë kulturo-fetare! Kur Shaqir Fetai do të bëhet një herë në jetën e vet mbrojtës i interesave të BFI-së!