Prania e shqiptarëve në Turqi është shumëshekullore dhe është e shtrirë kudo në vendet e këtij shteti, ku dikur shqiptarët kanë drejtuar edhe formacionet më të rëndësishme pushtetare e qeveritare. Në mesin e shqiptarëve që kanë bërë emër në nivel të Perandorisë, përveç ushtarakëve, komandantëve të njohur, vezirëve e gjyqtarëve, kryengritësve burrështetasve, ata janë shquar edhe në arkitekturë, arte, kulturë, letërsi dhe pothuajse në të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike e diplomatike.
Nuk do të ishte menduar shtrirja e Perandorisë Osmane, pa fitoret 20-vjeçare të Skënderbeut, derisa ishte në krye të forcave ushtarake dhe komandonte ushtrinë perandorake kundër Persisë dhe shteteve të Lindjes. Në mesin e shqiptarëve që i kanë dhënë një kontribut të shquar ndërtimtarisë, urave, pallateve, ujësjellësve është edhe arkitekti, Mimar Sinani, i krahasuar me Leonardo da Vinçin. Në jetën diplomatike ushtarake të Perandorisë është shquar, Ibrahim Pashë Parga, (Pargaliu) Lutfi Pashai në fushën e ligjeve dhe administratës, të dy dhëndurë të Sulltan Sylejmanit.
Janë më shumtë se 30 serasqerë e vezirë të mëdhenj, ndër më të njohurit të Perandorisë Osmane me origjinë shqiptare.
Në mesin e shumë jeniçerëve në zë, është edhe kryengritësi më i njohur gjatë tërë kohës së Perandorisë, Halil Arnauti i njohur si Halil Patrona, i cili kishte kërkuar të hiqeshin tatimet e përjetshme dhe të prisheshin e të ndaloheshin shtëpitë publike.
Pastaj ndër vezirët më të njohur shqiptar ka qenë edhe Kara Mustafë Pasha, i cili kishte mbajtur në rrethim Vjenën dhe kishte pushtuar Evropën Qendrore, Kemankesh Mustafa Pasha dhe shumë të tjerë, shumë prej të cilëve u kishin prerë edhe kokat, në përpjekjet e tyre qofshin karrieriste, apo edhe pasojë e intrigave që buronin nga Pallati dhe qarqet kundërshtare brenda Perandorisë.
Familja e qypërlinjve të Beratit për 150 vjet kishte dhënë katër vezirë të mëdhenj, ndër më të njohurit e Perandorisë.
Kjo pjesë e historisë shqiptare është injoruar dhe është abortuar nga tekstet e Historisë sonë kombëtare dhe për më keq është fundosur edhe krijimtaria e begatshme letrare e artistike, vetëm sepse është shkruar me alfabet arab dhe i përket kohës së Perandorisë, asokohe më e madhja e botës, e cila edhe mund të ishte gjakatare, por jo aq sa kishte qenë gjakatare e barbare perandoria Romake apo ajo e Bizantit, e Rusisë etj.
Kjo pjesë e lavdishme apo e palavdishme e historisë së shqiptarëve ekziston, dokumentohet, argumentohet e faktohet, pavarësisht qëndrimeve të djeshme e të sotme, politike për dhe kundër bashkëqeverisjes disa shekullore të disa personaliteteve shqiptare në Perandorinë Osmane. Por duhet të pranohet fakti se shqiptarët në Perandorinë Osmane ose kanë bashkëpunuar dhe kanë bashkë-qeverisur me ta , ose kanë qenë mercenarë, vrastarë dhe vegla të Perandorisë. Është në dijen e ndërgjegjen tonë që ta pranojmë realitetin qoftë edhe i hidhur, apo ta injorojmë një segment tejet të rëndësishëm të jetës shqiptare afër 500 vjeçare.
Në fushën e arteve e letërsisë veç tjerësh shquhet, poeti i madh, Mesihi i Prishtinës, dhe poeti, shkrimtari e krijuesi më i madh i kohës, Jahja Bej Dukagjini, për të cilin thuhet se ishte Danteja i Lindjes dhe i cili krenohej me origjinën e tij shqiptare, mu në qendrën e Perandorisë, në kohën e mbretit më të fuqishëm, sikur kishte qenë Sulltan Sylejmani.
Edhe në kulturë, arte e letërsi shumë shqiptarë kanë bërë emër, në mesin e personaliteteve më të njohura të kohës së tyre si Hoxha Tahsini, Sami Frashëri, Mehmet Aksoj. Një lidhje të origjinës shqiptare nga gjyshja kishte edhe Mustafë Qemal Ataturku, krijuesi i Turqisë moderne, që me të drejtë konsiderohet si ati i Turqisë, sepse ai me ushtrinë e tij në luftë 12-vjeçare arriti ta shpëtojë Turqinë nga shpërbërja duke luftuar sikur thuhet me të drejtë, kundër tërë botës.
Edhe në mesin e aktorëve të filmit, shqiptarët janë bërë të njohur dhe shumica syresh nuk e mohojnë origjinën, disa madje edhe krenohen për atë origjinë, por jo aq sa ishte krenuar, Jahja Bej Dukagjini.
Edhe një aktor i famshëm Serkay Tutunxhu e ka pranuar se ka prejardhje shqiptare.
Serkay ka qenë i ftuar në një emision në Turqi dhe derisa po diskutonin me një aktor tjetër për ushqimin, ai e pranoi se është shqiptar dhe duke qeshur tha se shqiptarët hanë mish që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.
Janë edhe disa aktorë shumë të famshëm në Turqi që e kanë pranuar se kanë prejardhje shqiptare. Në mesin e tyre janë Halit Ergenç, Pelin Karahan, Kivanç Tatlitug, Baris Arduç, Xhan Jaman, Nuretin Sonmez, Engin Altan Dyzyatan e shumë të tjerë.
Dy të fundit Nuretin Sonmez dhe Engin Altan Dyzjatan, janë shumë të njohur e të popullarizuar, në dy produksionet më të mëdha e më të kushtueshme financiarisht të kinematografisë turke, në seritë e njohura filmike, “Erturgrul” dhe “Osman”.
Po kështu Halit Ergenç ka luajtur rolin e Sulltan Sulejmanit në serialin “Muhtesem Yizyil”, apo “Sulejmani i Madhërishëm”. Edhe bijën e Sulltanit, Mihrimah e ka luajtur aktorja me origjinë shqiptare, Pelin karahan.