Cilat janë hapat e NATO-s nëse Rusia vendos ta pushtoj Ukrainën?

Aleatët e NATO-s po vënë forcat në gatishmëri dhe po dërgojnë përforcime në Evropën Lindore në përgjigje të më shumë se 100,000 trupave nga Rusia në kufijtë e Ukrainës.

Më poshtë keni disa nga dilemat rreth hapave të ardhshëm të NATO-s.

A do të shkoj NATO në mbrojtje të Ukrainës?

Jo ushtarakisht. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s dhe aleanca nuk është e detyruar me traktat ta mbrojë atë. Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka thënë se nuk do të dërgojë trupa amerikanë apo aleatë për të luftuar Rusinë në Ukrainë.

Megjithatë, Ukraina është një partner i ngushtë dhe asaj iu është premtuar anëtarësimi në aleancë në një samit të NATO-s në 2008.

Për momentin, 30 anëtarët e NATO-s po punojnë me Ukrainën për të modernizuar forcat e saj të armatosura. Kanadaja operon një program trajnimi në Ukrainë, ndërsa Danimarka po shton gjithashtu përpjekjet për të sjellë ushtrinë e Ukrainës në standardet e NATO-s. Aleanca ka thënë gjithashtu se do të ndihmojë Ukrainën që të mbrohet kundër sulmeve kibernetike dhe po siguron pajisje të sigurta komunikimi për komandën ushtarake.

Armatimet në Ukrainë?

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtetet baltike po dërgojnë armë në Ukrainë, duke përfshirë raketa antitank, armë të vogla dhe varka. Turqia i ka shitur Ukrainës drone që ushtria ukrainase i ka përdorur kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Megjithatë, Gjermania është kundër dërgimit të armëve në Ukrainë. Berlini në vend të kësaj ka premtuar një spital të plotë në terren dhe trajnimin e nevojshëm për trupat ukrainase, me vlerë rreth 6 milionë dollarë.

Pra, pse NATO po i vënë në gatishmëri?

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka vënë rreth 8500 trupa amerikane në gatishmëri të shtuar. Danimarka po dërgon një fregatë në Detin Baltik dhe katër avionë luftarakë F-16 në Lituani. Spanja ka dërguar një minahedhës dhe një fregatë për t’u bashkuar me forcat detare të NATO-s në Mesdhe dhe Detin e Zi.

Madridi po shqyrton gjithashtu dërgimin e avionëve luftarakë në Bullgari, ndërkohë që Holanda i ka ofruar Bullgarisë dy avionë luftarakë F-35 që nga prilli.

Franca mund të dërgojë trupa në Rumani nën komandën e NATO-s.