Cila është fytyra e vërtetë e Zaevit? Ndryshe flet, ndryshe vepron! (VIDEO)

Bomba të reja u publikuan dje në internet. Protagonist në “bombat” që u publikuan ishte ish kryeministri Zaev dhe partia e tij LSDM.

Në opinion bomba e djeshme u cilësua si skandal i madh ku dëgjohet zëri i ish kryeministrit Zoran Zaev i cili përdorë një fjalor shumë të ulët dhe fyes, ku njëherit shanë partnerët e koalicionit.

Lidhur me publikimin e këtyre bombave, analisti politik, Selim Ibraimi për Zhurnal ka theksuar se asgjë nuk është e jashtëzakonshme në politikë dhe kjo që e dëgjuam flet se në politikë nuk ka moral dhe etikë ashtu siç e kërkojnë liderët e partive tona opozitare.

Sipas tij kjo është prapaskena e veprimeve të Zaevit në veprimet politike duke përfshirë taktikat dhe kurthet.

“Zaev është nuhatës i mirë i situatave dhe i ka kuptuar mirë partitë filluar nga BDI, ASH, AA dhe Besa. Në pjesën shqiptare nuk kemi politikanë që do të mund të lexonte politikisht Zaevin dhe prandaj ai tallet dhe në të vërtetë tregon mendimin e tij të vërtetë për partitë dhe partnerët e koalicionit. Mendoj se çka thuhet dhe taktizohet pas skene duhet marrë si të vërtetë dhe pa diskutim sjelljet e Zaevit tregojnë se si ai do të sillet në të ardhmen me partnerët tjerë. Koncepti “Shoqëria për të gjithë” është koncept dominues etnik kunder etnive tjera në Maqedoni dhe ështe në kundërshtim me realitetin ndëretnik në Maqedoni. Për fat të keq partitë politke shqiptare kanë hy në kurthin e LSDM -së dhe Zaevit. Mbetet që gjeneratat e reja ta çmontojnë këtë koncept të rrejshëm. MV është larg BE-së dhe nëse e dëshiron BE-në , duhet të ndryshojë mentalitetin e qeverisjes”, ka deklaruar për Zhurnal, Selim Ibraimi, analist.

Ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Ky ka qenë Zaev prej fillimit i cili me politikën prej kameleoni arriti që të bëhet një faktor i rëndësishëm në skenën politike në Maqedoninë e Veriut përmes një mënyre të përkryer por edhe dredharake njëkohësisht, thotë Urim Saliu, gazetar.

“Problemi është se në ngritjen e kësaj figure maqedonase ndihmuan gjithë partitë shqiptare papërjashtim dhe të gjitha paguan koston politike. Ai i ofroi në pushtet, i bëri për vete, dhe në shumicën e rasteve i largoi nën regjinë e përsosur të tij politike dhe u tregoi partive shqiptare se ju më duheni vetëm të forcoj pushtetin. Asgjë më shumë se kaq. Ai në fakt arriti të neutralizojë cdo forcë politike shqiptare duke i mashtruar me pushtet dhe së fundmi përmes bombave dëgjohen ofendimet dhe të sharrat ndaj tyre. Kjo është skandaloze dhe e papërtypur sepse ai nuk tregon respekt ndaj partnerëve të koalicionit por tregon se cfarë në fakt fshihet në brendinë e tij, aty ku këto fyerje të ulëta nuk përkojnë me shpërfaqjen e tij : shoqëri për të gjithë”. Kjo tregon se një politikan periferie që erdhi si shpresë është zhytur në një rrugë të errët politike por që kërkon sërish të bëhet një protagonist politik ndërsa kësaj rradhe përmes formave tjera”, ka deklaruar për Zhurnal, Urim Saliu.

Më poshtë ndiqeni përmes videos bisedën fyese të Zoran Zaevit njeriut që proklamon Shoqërinë e barabartë për të gjithë , njeriun e ” kulturuar” dhe atë që ndryshe flet në publik dhe ndryshe është në prapaskenë.

Zoran Zaev, ish-kryeministri i vendit dhe kandidati i LSDM-së për kryeministër në zgjedhjet e 15 korrikut, ka komentuar dy audio-incizimet e publikuara dje.

“Keq jam shprehur në bisedën e vitit 2016-të, që sot u publikua në portale. Por, përkundrazi disa fjalëve joadekuate, gjatë tre viteve paraprake janë të dukshme raportet e mira, respekti dhe bashkëpunimi i ndershëm me të gjithë partnerët e koalicionit. Më vepra konkrete çdo ditë ndërtoj raporte njerëzore dhe dhe miqësore me të gjithë partnerët dhe bashkëpunëtorët, dhe për këtë koalicioni ynë vazhdimisht rritet, dhe për këtë shumica ynë fiton”, deklaroi Zaev.