Një çift shqiptar kanë treguar sot për JOQ se kanë përjetuar një moment të bukur në Strugë të Maqedonisë.
Pasi kishin mbushur makinën me karburant dhe ishin nisur për tek një market, pa e kuptuar, djali kishte lënë portofolin e tij sipër makinës, me një shumë prej rreth 700 eurosh dhe të gjitha dokumentet personale brenda. Portofoli kishte rënë nga makina gjatë ecjes.
Megjithatë, fatmirësisht një familje e mrekullueshme, që po kalonte pas tij, e gjeti portofolin dhe e dorëzoi pa hezitim. Veprimi i tyre ka lënë një përshtypje të thellë tek çifti, të cilët janë jashtëzakonisht mirënjohës për këtë gjest bujar dhe të ndershëm.
Për shkak të barrierave gjuhësore, ata nuk arritën t’i falënderojnë sa duhet në atë moment, por përmes JOQ Albania, dëshirojnë t’i shprehin publikisht mirënjohjen e tyre të thellë për këtë akt human dhe shembullor.
Ngjarje të tilla na kujtojnë se ndershmëria dhe mirësia janë ende vlera që duhet t’i çmojmë dhe t’i kultivojmë çdo ditë.
“Përshëndetje JOQAlbania! Dëshiroj të ndaj një përvojë të jashtëzakonshme që pata sot në Strugë. Pas furnizimit me karburant në Gulf dhe duke shkuar për te Market Gega, pa dashje e lashë portofolin sipër makinës. Nuk isha i sigurt nëse më kishte rënë rrugës apo diku tjetër. Fatmirësisht, një familje e mrekullueshme, që rasti e deshi të kalonte aty, e gjeti portofolin dhe me shumë ndershmëri ma solli me të gjitha dokumentet dhe shumën prej afërsisht 700€ që ndodhej brenda. Ne, si një çift shqiptar, jemi jashtëzakonisht mirënjohës për këtë veprim bujar dhe zemërgjerësi që tregoi kjo familje. Për shkak të barrierave gjuhësore, nuk arrita t’i falënderoj sa duhet në atë moment, ndaj dua t’i shpreh publikisht mirënjohjen tonë të thellë për këtë gjest të ndershëm dhe human. Të tillë njerëz na kujtojnë se mirësia dhe ndershmëria janë gjithmonë prezente.” – tregojnë çifti shqiptar.