CIA thotë se Kina ka dashur ta pengojë OBSH-në që të paralajmërojë për virusin

Pas agjencisë gjermane të inteligjencës BND, edhe CIA amerikane thotë se Kina ka tentuar që ta pengojë Organizatën Botërore të Shëndetësisë që ta paralajmërojë botën për epideminë e virusit korona në janar, kur Pekini ka blerë pajisje mjekësore nëpër gjithë botën.

Në një raport të CIA-s, përmbajtjen e të cilit e kanë konfirmuar dy informatorë për “Njuzuik”, thuhet se Kina e ka kërcënuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë se do të ndalojë të bashkëpunojë në hetimin e OBSH-së, nëse shpall krizë botërore shëndetësore.

Ky është raporti i dytë i këtillë i shërbimeve të huaja të inteligjencës, dhe sipas gjitha gjasave në mënyrë plotësuese do t’i ndezë tensionet mes SHBA-së dhe Kinës për shkak të pandemisë në të cilën humbën jetën 280.000 persona në gjithë botën, prej të cilëve më shumë se një e katërta janë amerikanë, shkruan “Njuzuik”.

Paraprakisht, shërbimi gjerman i inteligjencës BND, siç bëri të ditur “Shpigël” javën e kaluar, akuzoi se presidenti kinez Si Xhinping më 21 janar personalisht ka bërë presion ndaj drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adanom Grebrejesus.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i mohoi të gjitha akuzat nga ky raport, por ende nuk dha përgjigje konkrete për pyetjen konkrete se a ka ndërmarrë dikush nga përfaqësuesit kinezë aktivitete që të pengohet shpallja e krizës botërore shëndetësore.

“OBSH-ja i bazon rekomandimet e saj në shkencë, praktika më e mirë e shëndetësisë publike, dëshmi, të dhëna dhe këshilla të ekspertëve të pavarur. OBSH-ja u përqendrua në shëndetin e të gjithë njerëzve në botë”, deklaroi zëdhënësi i OBSH-së, Kristian Lindmaer.

Ai shtoi se Tedros dhe presidenti kinez Si nuk kanë biseduar më 20, 21 ose 22 janar.

Funksionarët amerikanë të inteligjencës me të cilët kanë biseduar gazetarë nga “Njuzuik” nuk kanë mundur të thonë nëse presidenti kinez Si Xhinping ka pasur ndonjë rol gjatë presionit të bërë ndaj OBSH-së.