Një grup gazetarësh dhe avokatësh paditën agjencinë amerikane të inteligjencës, CIA-n dhe ish-drejtorin e saj Mike Pompeo nën akuza se agjencia i ka përgjuar kur vizituan themeluesin e faqes WikiLeaks, Julian Assange gjatë qëndrimit të tij në ambasadën e Ekuadorit në Londër.
Në padi thuhet se CIA, nën drejtimin e zotit Pompeo, ka shkelur të drejtat e privatësisë së gazetarëve dhe avokatëve amerikanë, duke i përgjuar ata. Paditësit përfshijnë gazetarët Charles Glass dhe John Goetz, si dhe avokatët Margaret Kunstler dhe Deborah Hrbek, të cilët kanë përfaqësuar zotin Assange.
“Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara i mbron qytetarët amerikanë nga tejkalimi i kompetencave prej qeverisë amerikane edhe kur aktivitetet zhvillohen në një ambasadë të huaj në një vend të huaj”, tha Richard Roth, avokati kryesor që përfaqëson paditësit.
CIA-s, e cila nuk pranoi të komentojë mbi padinë, i ndalohet të mbledhë informacione zbulimi për qytetarët amerikanë, megjithëse disa ligjvënës pretendojnë se agjencia mban një bazë sekrete të të dhënave të komunikimit mes amerikanëve.
Zoti Assange ka apeluar në Gjykatën e Lartë në Londër për të bllokuar ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza penale në një betejë ligjore që është zvarritur për më shumë se një dekadë. Padia e së hënës u ngrit në Gjykatën e Qarkut për Distriktin Jugor të Nju Jorkut.
Në dokument thuhet se gazetarëve dhe avokatëve u kërkohej t’i dorëzonin pajisjet e tyre elektronike tek firma “Undercover Global S.L.”, një kompani private sigurie, e cila në atë kohë ofronte sigurinë për ambasadën, përpara se të takoheshin me zotin Assange. Padia pretendon se kompania ka kopjuar informacionet në telefonat e tyre dhe ia ka dhënë CIA-s, e cila në atë kohë drejtohej nga zoti Pompeo.
Zoti Assange qëndroi shtatë vjet në ambasadë, përpara se të detyrohej të dilte prej saj dhe të burgosej në vitin 2019. Mike Pompeo dhe firma “Undercover Global S.L.” nuk mund të kontaktoheshin dot menjëherë për komente.
Zoti Assange kërkohet nga autoritetet amerikane për 18 akuza, duke përfshirë një akuzë për spiunazh, në lidhje me publikimin nga WikiLeaks të të dhënave konfidenciale të ushtrisë amerikane dhe kabllogrameve diplomatike. Përkrahësit e tij thonë se ai është një hero, i cili është viktimizuar, sepse ekspozoi shkeljet ligjore të Shteteve të Bashkuara në konfliktet në Afganistan dhe Irak.