Besim nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pak para mesnate mori qeveria pro-perëndimore e Zoran Zaevit, pas zgjedhjeve të parakohshme që në vendin ballkanik u mbajtën më 15 korrik, shkruan agjencia gazetareske greke ANA-MPA në fillim të tekstit, që e morrën pothuajse të gjitha edicionet onlajn të mediave të Greqisë, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
ANA-MPA në tekst sqaron se besimi ishte votuar nga 62 deputetë, ndërsa përbërja e re qeveritare ka 19 anëtarë, 7 më pak nga Qeveria paraprake. “Maqedonia e Veriut: Qeveria e Zaevit fitoi besim”: Besim i Kuvendit për Qeverinë e Zoran Zaevit”; “Shkup: Zaev siguroi besim dhe formon Qeveri”; “Besim për Qeverinë e re të Zoran Zaevit”; “Maqedonia e Veriut:Qeveria e Zaevit siguroi besim nga Kuvendi”; “Maqedonia e Veriut: Qeveria e Zaevit mori besim – shqiptar ministri i parë i punëve të jashtme”, janë një pjesë e titujve në edicionin elektronik të mediave në Greqi në tekstin e ANA-MPA.
Agjencia gazetareske greke theksin e vë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shkruan se shefi i ri i diplomacisë është zëvendëskryseministri i deritanishëm kompetent për çështje evropiane Bujar Osmani dhe sqaron se në vend të tij vjen ish ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov.
“Zoran Zaev në prezantimin e programit të Qeverisë përmendi se prioritet do të jenë lufta me korrupsionin dhe implementimi i reformave, të cilat janë të domosdoshme për rrugën evropiane të vendit, si dhe ballafaqimi me krizën shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, shkruan ANA-MPA dhe shton se kryeministri i Maqedonisë ka përmendur se “Qeveria e re do t’i respektojë dhe tërësisht do t’i zbatojë tre marrëveshjet e rëndësishme për vendin: Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, si dhe Marrëveshja paqësore e Ohrit”.
Pritje se do të vazhdojë bashkëpunimi i mirë me Qeverinë e re të Maqedonisë, shprehu zëdhënësi i Qeverisë greke Stelios Pecas, para dhjetë ditëve, duke u përgjigjur në pyetjen e korrespondentjes së MIA-s nga Athina në brifingun e atëhershëm me gazetarët.