Çfarë tha Tadiq në TV-në boshnjake, që e “shokoi” Dodikun?

Lideri i Serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik ka mbetur “i shokuar” dhe ka reaguar ashpër ndaj paraqitjes së ish-kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, në një televizion sarajevas.

Tadiç, si mysafir në televizionin boshnjak “Face”, ka kritikuar nënshkrimin e marrëveshjes së fundit në Uashington për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës e Serbisë, duke pretenduar se Donald Trumpi përfitoi më shumë nga ajo për fushatën e tij zgjedhore dhe se kjo nuk ka shumë të bëjë me marrëdhëniet Beograd-Prishtinë. Ai po ashtu ka thënë se marrëveshja ka elemente të njohjes së Kosovës nga Serbia, transmeton B92, përcjell Bota sot.

Ai thotë se kurrë nuk do të merrte pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë.
Tadiq po ashtu tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po luan një “lojë të rrezikshme” kur bëhet fjalë për integritetin territorial të BeH-së, ndryshe nga ai, i cili, siç thotë, ka bërë përparim të madh në politikën e pajtimit të serbëve me kombet e tjera në rajon dhe pajtimin e serbëve brenda Serbisë.

Duke madhëruar politikën e tij ndaj BeH-së dhe rajonit, Tadiq kritikoi gjithashtu politikën e anëtarit serb të presidencës së BeH-së Milorad Dodik, për të cilin tha se po ndjek politikë “populiste” me qëllimin që të qëndrojë në pushtet, se presidenca e BeH-së po shantazhohet me nismat për zhvendosjen e ambasadës së BeH-së në Jerusalem… Tadiç nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimit të pozicionit të tij kur bëhet fjalë për gjencidin në Srebrenica.

Dodik, ndërkaq, në një letër të hapur, ndër tjera thekson se “nuk e di çfarë halli e ka shtyrë Tadiqin të kërkojë mbështetje tek boshnjakët në Sarajevë dhe pse si ish-kryetar i Serbisë është nisur hapave, siç shprehet, të humbësit politik, çfarë është Çedomir Jovanoviqi. Ai ka thënë se është “i shokuar” me deklaratën e tij se do të vijë dita kur do ta rishqyrtojë qëndrimin e tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë, si qytetar i rëndomtë.