Kur Kosova mundet, pse nuk munden edhe Donjecku dhe Luhansku – është mesazhi që presidenti rus, Vladimir Putin, ia ka dhënë sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres. Gjatë një takimi me Guterresin në Moskë, më 26 prill, Putini po ashtu ka deklaruar se shprehja e vullnetit të banorëve të Krimesë dhe Sevastopolit, është rast i njëjtë sikurse me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, lexoni se çfarë ka thënë dhe çfarë nuk ka thënë Putini për Kosovën gjatë bisedës me Guterresin:
“Në qoftë se ekziston precedenti, të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe republikat e Donbasit. Ato e bënë këtë dhe ne kishim të drejtën t’i njihnim si shtete të pavarura”. Por, pavarësinë e Donjeckut dhe të Luhanskut, rajone këto në Donbas, i ka pranuar vetëm Rusia. Për pjesën tjetër të botës, këto territore janë ende pjesë e Ukrainës. Ndërkaq, pavarësia e Kosovës është njohur nga më shumë se 100 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Gjermania, Britania dhe Franca. Nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Kosova është njohur nga 22 shtete.
“Dallimi i vetëm ndërmjet dy rasteve ishte se në Kosovë ky vendim për sovranitetin u miratua nga Parlamenti, ndërsa Krimeja dhe Sevastopoli e sollën me referendum mbarëkombëtar”.
Rikujtojmë se para se të mbahej një referendum secesionist në gadishullin ukrainas të Krimesë, në mars të vitit 2014, burra të armatosur rëndë dhe me uniforma ushtarake, pa shenja të dallueshme, sulmuan parlamentin rajonal dhe ngritën flamurin rus në majë të ndërtesës.
Pas kësaj, komando të maskuar, me uniforma të ngjashme, rrethuan bazat ushtarake ukrainase dhe zunë njësi të tjera strategjike. Kurse, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u shpall nga Kuvendi i Kosovës në shkurt të vitit 2008.
Para se Prishtina të shpallte pavarësinë, në Kosovë u vendos një administratë territoriale ndërkombëtare, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i saj ishte të zgjidhte krizën humanitare që mbizotëronte në atë territor në vitin 1999. Ajo u vendos me qëllim të pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të pushtetit të Serbisë në Kosovë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka deklaruar në opinionin e saj këshillues se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimin e gjykatës e ka kërkuar Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me iniciativën e Serbisë, e cila konsideron se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka shkelur rendin juridik ndërkombëtar. Rikujtojmë se gjatë luftës në Kosovë, në fund të viteve ’90, janë vrarë mbi 13.500 persona, ndërkaq ende nuk dihet fati i më shumë se 1.600 personave.
“Ata (banorët e Krimesë dhe Sevastopolit) u sollën praktikisht në të njëjtën mënyrë si njerëzit që jetojnë në Kosovë – ata morën vendimin për pavarësinë dhe më pas na u drejtuan neve me kërkesën për t’iu bashkuar Federatës Ruse”. Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014, dy ditë pas referendumit secesionist.
Kurse Kosova, pas shpalljes së pavarësisë, nuk i është drejtuar asnjë shteti fqinj me kërkesën për t’iu bashkuar.
“Pasi që autoritetet në Kiev njoftuan se nuk kishin ndërmend të përmbushnin marrëveshjet e Minskut, ne u detyruam t’i njohim këto rajone (në Donbas) si shtete të pavarura dhe sovrane dhe të parandalojmë gjenocidin ndaj njerëzve që jetojnë atje”.
Tribunali i Hagës, për krimet e kryera në Kosovë në vitin 1999, ka dënuar zyrtarë të lartë shtetërorë, ushtarakë dhe policorë. Ndër ato krime është edhe transporti i trupave të shqiptarëve të vrarë të Kosovës në varrezat masive në Serbi.
Në këtë gjykatë është gjykuar edhe Sllobodan Millosheviq, ish-presidenti i Serbisë dhe i Republikës Federale të Jugosllavisë, për krimet e luftës në Kosovë. Millosheviqi vdiq në paraburgimin e Tribunalit të Hagës, përpara shpalljes së vendimit. Ndërkaq, ende nuk ka ndonjë aktvendim apo aktakuzë të gjykatave ndërkombëtare që do të mbështesin pretendimet ruse për krime kundër rusëve në Donbas./REL